Një studim i ri nga shkencëtarët e Harvard-it dhe Universitetit Rush sjell një zbulim të rëndësishëm për luftën kundër sëmundjes Alzheimer: litiumi, një metal i thjeshtë dhe i njohur më parë si stabilizues humori, mund të luajë një rol kyç në mbrojtjen e trurit nga plakja dhe dëmtimet neurodegjenerative.
Litiumi ndodhet natyrshëm në trup në sasi shumë të vogla dhe, sipas studiuesve, është i domosdoshëm për funksionimin normal të qelizave, njësoj si hekuri apo vitamina C. Në eksperimentet e zhvilluara me minj, mungesa e litiumit në ushqim shkaktoi inflamacion në tru dhe ndryshime të lidhura me plakjen e përshpejtuar. Tek minjtë me predispozitë për Alzheimer, mungesa e litiumit përshpejtoi formimin e proteinave të dëmshme dhe humbjen e kujtesës.
Nga ana tjetër, ruajtja e niveleve normale të litiumit mbrojti trurin e minjve nga ndryshimet që lidhen me sëmundjen. Një nga përbërjet më premtuese që u testua ishte litium orotati, i cili nuk lidhet me proteinat e dëmshme që shkaktojnë Alzheimer. Kjo përbërje rezultoi efektive në përmirësimin e funksioneve të kujtesës te minjtë.
Megjithëse rezultatet janë inkurajuese, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të fillojnë të marrin suplemente litiumi. Studimi është ende në fazat eksperimentale dhe kërkon testime të mëtejshme te njerëzit.
Ndërkohë, studiuesit kanë zbuluar gjithashtu se nivelet e ulëta të litiumit në tru janë të lidhura me rënien e kujtesës te pacientët me Alzheimer. Ushqimet si perimet me gjethe jeshile, arrorët dhe uji mineral janë burime natyrale të litiumit dhe mund të kenë një rol mbrojtës për shëndetin e trurit.