Protesta e studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione këtë të martë.
Pas grumbullimit në Rrugën e Durrësit, studentët filluan të godasin me vezë, tullumbace me ujë dhe bojë drejt godinës së Ministrisë. Po ashtu ata hoqën edhe gardhin që rrethon Ministrinë e Arsimit.
Ata bëjnë thirrje për revolucion dhe dorëheqje të qeverisë Rama.
Përmes mesazheve të tyre, studentët dhe të rinjtë shprehin pakënaqësinë ndaj situatës në arsim dhe mungesës së reagimit institucional.
“Kjo është një protestë e rinisë. Ne nuk kemi kërkesa, por arsye që dalim për të protestuar. Ne duam ndryshimin e këtij sistemi 36-vjeçar, ku të rinjtë shqiptarë janë mall transporti për jashtë, për punë që nuk i duan europianët. Sot në Shqipëri nuk ia del dot të përballosh muajin. Të kërkosh dinjitet nuk është luks!”, tha një protestuese.
“Protestojmë për kushtet e këqija në konvinte, prindërit tanë në emigracion kanë sakrifikuar tërë jetën për të sjellë para për të na mbajtur dhe me taksa të rregullta, kur vijmë ne përballemi me kushte të këqija e institucione që nuk ofrojnë asgjë. Studenti detyrohet to blejë librat, pasigurinë e punës pas shkolle. Institucionet merren me nepotizëm e ryshfete, punonjësi kthehet në argat dhe studenti kërkon të zhvillohet në aftësi. Sistemi i dizenjuar nga institucionet vetëm për t’u kthyer në argat,” tha një tjetër student.