Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat e arrestit me burg ndaj Adriatik dhe Julian Kalemit, të cilët strehonin në banesën e tyre në Memaliaj, Andrew Bode, një prej të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë.
Adriatik dhe Julian Kalemi u arrestuan në gusht të këtij viti në një banesë në qytetin e Memaliajt, ndërsa akuzohen për “përkrahje të autorit të krimit”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve, armeve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve te gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në banesë fshihej edhe Bode, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg” pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.
NJOFTIMI:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë
Në kuadër të marrjes dhe zbatimit të masave për personat të cilët janë të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion në rrugë operative se, në banesat e personave nën hetim A (A) alias S. K, dhe J.K strehohet shtetasi me iniciale A.B, person ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit me karakter shtrëngues personal “arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.
Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj:
(I) personit nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyesë dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.
(II) personit nën hetim me iniciale J.K, i dyshuar për kryerjen e vepraës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 349, datë 29.08.2024, ka vendosur:
– Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyesë dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.
– Caktimin ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e paligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit më të butë se “arresti në burg”.
Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 348, datë 29.08.2024, ka vendosur:
– Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim J.K, i dyshuar për kryerjen e vepraës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.
– Caktimin ndaj personit nën hetim J.K masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale J.K i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë se ajo e “arresti në burg”.
Në përfundim të gjykimit, më datë 04.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtare znj. Arta Duka, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 349, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Miratimin e vendimit nr. 348, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.