Strasburgu gjeti shkelje në shkarkimin e saj, KPA rikthen në sistemin e drejtësisë prokuroren Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka rikthyer në detyrë prokuroren Antoneta Sevdari.

Vendimi u mor pasi Gjykata e Strasburgut e konsideroi të drejtë apelimin e prokurores, dhe dënoi Shqipërinë që të dëmshpërblente atë me rreth 25 mijë euro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit. Gjykata e Strasburgut vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”.

Sevdari rikthehet në detyrë, 5 vite pas shkarkimit të saj nda detyra. Antoneta Sevdari kaloi pa problem procesin e vettingut, por ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik, që kërkoi hetim më të thelluar, duke i gjetur probleme me pasurinë e bashkëshortit, që solli edhe më pas shkarkimin e saj.

Pas vendimit, Sevdari në një komunikim të shkurtër për gazetarët, u shpreh e emocionuar dhe se mori drejtësinë që meritonte.

“Kjo është shumë e rëndësishme për mua si personalisht dhe profesionalisht. Ndihem shumë e gëzuar që më në fund arrita të marrë drejtësinë që meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe shpresoj të jem në rrugën e saj. Faleminderit ndihem e emocionuar dhe nuk kam fjalë të tjerë“- u shpreh ajo.