Nis seanca në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për çështjen “Sterilizimi”, ku gjyqtarja Flojera Davidhi do vendosë nëse do e kalojë dosjen për gjykim, nëse do e kthejë në SPAK për plotësim hetimesh apo nëse do pushojë akuzat ndaj 9 të pandehurve
Të pandehur në këtë proces janë 9 persona, dy prej tyre të lënë në masën “arrest në burg. Konkretisht ish zëvëndës ministri i shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Dy të tjere janë lënë në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa 5 personat e tjerë në mesin e të cilëve ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj janë në masën “detyrim paraqitje”.
Sipas hetimeve të SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare dhe i ka ndryshuar disa herë me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave.
Nga hetimet ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumente që janë paraqitur Ministrisë së Financave, njofton Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.
Sipas SPAK, gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues biznesmenin.
Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohet se kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta.
Ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet se për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn.