Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur edhe këtë të premte në SPAK, për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” që GJKKO ka caktuar ndaj tij lidhur me hetimet për koncesionin e Sterilizimit.
Në një komunikim për gazetarët jashtë dyerve të SPAK, ai tha se duhet ndarë çështja nëse ai është person nën hetim, apo palë e tretë.
Ndërkohë ai është shprehur i bindur se e drejta e tij do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori.
“Jam i bindur se ajo çfarë unë mendoj që është e drejta ime do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori. Së pari unë jam përpjekur të jem në marrëdhënie institucionale me organet e drejtësisë, por për interesin tuaj, siç ju e dini unë jam një person në hetim prej katër muajsh. Vij këtu çdo të premte për tu paraqitur në zbatim të një vendimi gjykate si person nën hetim ndërkohë kur kam kërkuar aktet më është vënë përpara një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Atëhere dua të ma ndajnë jam person nën hetim apo palë e tretë. Si palë e tretë sigurisht ka të tjera çështje, por unë jam person nën hetim dhe udhëzimi i përgjithshëm i SPAK-ut i shtatorit flet për një procesverbal që mban prokurori shënimet e shpenzimeve dhe jo personi nën hetim. Dua ta ndajnë jam pale e tretë apo person nën hetim”- tha Beqaj.
Kam kërkuar të hetohet pse nuk u vendos në punë dy vite e gjysmë, por u mbajt aty kur nevoja ishte ulëritëse. Kam kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë krahasim me kohën kur nuk përdorej centrali i sterilizimit” – ka thënë Beqaj.