Etnogjeneza e shqiptarëve ka qënë pjesë debati e shumë studiuesve të huaj. Ndër shekuj ka pasur spekulime të shumta, por tashmë këto debate mund të quhen të mbyllura. Një grup prej disa studiuesish me emër nga Greqia si Leonidas-Romanos Davranoglou që punon në Universitetin e Oksfordit, si dhe Aris Aristodemou, David Wesolowski dhe Alexandros Heraclides publikuan një studim mbi origjinën e shqiptarëve. Në studimin e tyre, ku ata marrin për bazë mbi 6 mijë teste ADN-je të marra në Ballkan, pretendojnë se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre pavarësisht lëvizje të mëdha të popullsisë, shkruan Media ditar.al.
“Për të identifikuar popullsitë që kontribuan në prejardhjen e shqiptarëve, ne ndërmorëm një transekt gjenomik të Ballkanit gjatë 8000 viteve të fundit, ku analizuam më shumë se 6000 gjenome të lashta të botuara më parë duke përdorur mjete dhe algoritme të bioinformatikës më të fundit që përcaktojnë sasinë. Ne zbulojmë se shqiptarët modernë rrjedhin nga popullsitë e Ballkanit Perëndimor të epokës romake, me përzierje shtesë nga grupe të lidhura me sllavët. Çuditërisht, prejardhja nga atësia shqiptare tregon vazhdimësi nga popullsitë ballkanike të epokës së bronzit, duke përfshirë ato të njohura si ilirë. Rezultatet tona ofrojnë një kuptim të paprecedentë të proceseve historike dhe demografike që çuan në formimin e shqiptarëve modernë dhe ndihmojnë në gjetjen e zonës ku u zhvillua gjuha shqipe”, thuhet në këtë studim.
Më tej ata saktësojnë se duke qenë se të dhënat gjenetike sugjerojnë fuqimisht një origjinë kryesisht vendase për shqiptarët, paraardhësit e tyre mesjetarë mund të kenë banuar në një zonë të kufizuar gjeografikisht. Ata besojnë se kjo zonë është krahina e Matit. Më pas, sipas tyre, kemi një lëvizje më të madhe të shqiptarëve që ra në sy të historianëve greqishtfolës në shekullin e 11-të.
“Ndërsa kërkimi për origjinën e gjuhës shqipe sigurisht që do të vazhdojë, ne presim që studimi aktual të formësojë këto debate dhe të sigurojë kuadrin e nevojshëm për kërkime më të gjera mbi prejardhjen gjenetike të banorëve të lashtë dhe modernë të Shqipërisë”, thonë më tej autorët e studimit.