SPECIALE/ Indeksi i turizmit, Shqipëria në vendin e 66-të në botë, vlerësim shumë negativ për shërbimet dhe burimet natyrore e kulturore

Forumi Ekonomik Botëror ka publikuar raportin për Indeksin e turizmit, ku Shqipëria renditet në vendin e 66-të në botë, me një përmirësim të lehtë nga 2 vite më parë.

Rritja e konsiderueshme e numrit të turistëve ka bërë që vendi ynë të ketë një rritje me 5.9% në renditjen botërore, e treta në botë. Por jo të gjitha vlerësimet janë pozitive, pasi në shumë aspekte, Shqipëria qëndron shumë pas vendeve të tjera.

Infrastruktura, shërbimi, janë vlerësuar shumë dobët për vendin tonë, ndërsa jemi një nga vendet me pikët më të ulëta për sa i përket burimeve natyrore dhe kulturore.

Duke patur vetëm një aeroport, turistët janë të detyruar të përballen me fluksin e njerëzve në ambientet e TIA-s, ndërkohë që edhe transporti publik në Tiranë lë për të dëshiruar, për të mos folur për qytetet e tjera, ku në shumë prej tyre mungon.

Nëse dikur në Shqipëri turistët vinin edhe për turizmin kulturor, tashmë diçka e tillë po bëhet e pamundur nga politikat e qeverisë dhe institucioneve. Vendi nuk ka ende një Teatër Kombëtar, Muzeu Historik ka mbyllur dyert, ndërsa edhe Teatri i Kukullave është në rikonstruksion.

Por, Shqupëria ka edhe vlerësime pozitive, për sa i përket sigurisë dhe higjienës, por vlerësimi më i lartë është për çmimet, pasi vendi ynë është më i liri për të kaluar pushimet.

T’i marrim me radhë vlerësimet e Forumit Ekonomik botëror për Turizmin në Shqipëri:

VLERËSIMET NEGATIVE

Infrastruktura e transportit ajror: Shqipëria vlerësohet me 3.23

Kjo pikë përfshin komoditetet që duhet të kenë turistët në:

-Efikasitetin e shërbimeve të transportit ajror

-Numri i linjave ajrore që operojnë

-Lidhja me aeroportin

Shqipëria ka aktualisht vetëm një aeroport, TIA-n, që shpesh ka një fluks fluturimesh. Ajo çfarë mund të vlerësohet janë futja e linjave low cost, që mund tu ofrojë shqiptarëve, por edhe turistëve që të udhëtojnë me çmime të lira.

Megjithatë turistët që vijnë ne vendin tonë përballen me probleme të tjera. Mungojnë linjat e shpeshta që mundësojnë transportin e tyre nga TIA drejt kryeqytetit dhe anasjelltas, ndryshme në shumë vende të tjera europiane.

Infrastruktura tokësore dhe portuale, 3.33

-Efikasiteti i shërbimeve të transportit publik

-Efikasiteti i shërbimeve të portit detar

Shqipëria nuk ka një vlerësim pozitiv, duke marrë parasysh trafikun që krijohet pothuajse në orë të caktuara të ditës, transporti publik lë po ashtu shumë për të dëshiruar, duke mos ofruar komoditetet e nevojshme për turistët.

Edhe sa i takon shërbimeve turistike, Shqipëria nuk ka vlerësim pozitiv 3.01

Vendi ynë ka hasur një bum zhvillimi sa I takon hoteleve, që janë ndërtuar kudo, disa prej tyre edhe me 5 yje. Por, pavarësisht kësaj, shërbimi i ofruar, ka lënë të pakënaqur turistët.

Burimet natyrore, ku përfshihen zonat e mbrojtura, 2.17

Vendi ynë vijon të renditet poshtë shumë vendeve të tjera europiane. Situata mund të përkeqësohet pasi vetëm pak muaj më parë qeveria i hapi rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Këtu vlen të theksojmë edhe faktin se Parku Kombëtar i Butrintit po i jepet privatit, e njëjta situata parashikohet edhe me Parkun e Bylisit.

Parqet mungojnë, ndërsa ajo çfarë mund të vihet re janë kullat apo ndërtimet e shumta, si në Tiranë, por edhe në zonat bregdetare, që po betonizohen dita -ditës.

Burimet kulturore 1.29- Shqipëria një vlerësim shumë negativ .

Edhe pse në media ka një propagandë të madhe në lidhje me numrin e lartë të turistëve, problemi më i madh qëndron në sitet kulturore që këta turistë do të duhej të vizitonin.

Rikujtojmë se Muzeu Historik mbylli dyert për 4 vite, Teatër Kombëtar nuk ka, Teatër Kukullash po ashtu nuk ka, pasi godina aktuale është në rikonstruksion.

Sa i takon burimeve jo të kohës së lirë, vendi ynë ka një vlerësim negativ 1.52

Kjo pikë mat faktorët që nxisin udhëtimet jo të kohës së lirë, si për biznes, mjekësi dhe arsim. Këta sektorë shtojnë një pjesë të konsiderueshme të fitimit dhe të ardhurave. Prandaj, është e detyrueshme të ketë universitete me cilësi të lartë për të tërhequr turistë arsimorë. Përveç kësaj, ekzistenca e kompanive të mëdha ndërkombëtare ose selive të tyre dhe qyteteve shumë të integruara dhe të lidhura në ekonominë globale kontribuojnë gjithashtu në rritjen e udhëtimeve të biznesit. Mungesa e tyre, ka sjellë edhe një vlerësim negativ për Shqipërinë.

Qëndrueshmëria mjedisore 4.91 – Edhe pse Tirana ka një ajër jo cilësor, duket se vendet turistike kanë një vlerësim pozitiv, duke përfshirë ujin, ajrin. Duhet ta themi, Shqipëria ka plazhe të bukura, që e bën tërheqëse për shumë turistë.

Sa i takon ndikimit socio-ekonomik, sërish vendi ynë nuk vlerësohet pozitivisht 3.27

Turizmi është ndër industritë më dinamike dhe më të fuqishme për sa i përket ndikimit ekonomik. Nëse të ardhurat valutore të vendit nga turizmi janë më shumë se ato valutore, do të ketë një kontribut pozitiv në buxhetin e vendit. Kjo tregon se sektori i turizmit është një gjenerues i rëndësishëm i të ardhurave. Por kjo nuk ka ndikuar në Shqipëri. Për të mos folur për krizën e fuqisë punëtore.

Kërkesa dhe Qëndrueshmëria 3.43

-Sipas vlerësimeve, Shqipëria mbetet në zonën portokalli, që do të thotë se shpërndarja gjeografike e turistëve nuk është në si do të duhej të ishte.

Duket se interesi për atraksionet kulturore dhe natyrore është i ulët, dhe turistët duket se janë të fokusuar vetëm në disa prej tyre.

VLERËSIMI POZITIV

Evropa ka qenë gjithmonë rajoni me performancë më të mirë në indeksin për zhvillimin e turizmit, duke tejkaluar mesataren globale për shumicën e kritereve, ndërsa 34 vendet e saj llogariten me ekonomitë mbi mesataren e indeksit.

Ndërsa rajoni është ndër më të sigurtët në botë, përhapja e konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë përfaqëson një rrezik të konsiderueshëm, ashtu si edhe inflacioni.

Spanja renditet më e larta në rajon (e dyta në botë), më pas Franca (4), Gjermania (6), Mbretëria e Bashkuar (7), Italia (9) dhe Zvicra (10) renditen të gjitha ndër 10 më të mirat në indeks.

Shqipëria renditet në vendin e 66 në botë, ndërsa më poshtë shpjegojmë edhe se sa pikë merr vendi ynë në secilën prej kategorive.

1.Shqipëria merr 4.55 pikë në kategorinë e mjedisit së bizneseve, ç’ka përfshin punonjësit, nevojat dhe pritshmëritë e klientëve, oferta dhe kërkesa, menaxhimet, klientët, furnitorët, pronarët, aktivitetet nga qeveria, inovacioni në teknologji, tendencat sociale, tendencat e tregut ato ekonomike etj. Pra në këtë sektor, vendi ynë është në zonën e gjelbër duke u renditur pozitivisht.

2.Vendi ynë renditet gjithashtu në nivel më të lartë sa i përket sigurisë për turistët duke marrë 5.98 pikë, por ngelet më poshtë se vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Ballkanit.

3.Sa i përket higjienës dhe shëndetit, Shqipëria merr 4.90 pikë. Praktikat e shëndetit dhe higjienës janë një prioritet për turistët për shkak të rreziqeve të sëmundjeve. Vendi ynë në këtë kategori nuk është në nivelin më të lartë as krahasuar me vendet e tjera të rajonit që janë renditur në këtë listë. Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi janë shumë më lart sa i përket higjienës.

4.Ne jemi më lart nga disa nga vendet e rajonit për sa i përket burimeve njerëzore duke marrë 4.54 pikë në këtë kategori. Madje renditemi më mirë se Mali i Zi, Maqedonia apo Serbia të cilat janë më dobët me burimet njerëzore që nga kualifikimi e deri te sfidat e tyre.

5. Shqipëria merr 4.90 pikë në “ICT Readiness”, është një koncept që lidhet me gatishmërinë e vendit për të përdorur Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në një mënyrë efektive për të përmbushur qëllimet e tyre. Kjo përfshin infrastrukturën e TIK, aftësitë dhe kapacitetet njerëzore, si dhe përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në proceset e biznesit dhe shoqërisë.

6.Vendi ynë renditet po ashtu në zonën e gjelbër sa i përket prioritizimit të T&T, një proces ky që ka të bëjë me përcaktimin e nevojave të rëndësishme dhe përmirësimin e efikasitetit të investimeve dhe përpjekjeve në industrinë e turizmit.

7.Edhe për sa u përket rregullave dhe gatishmërisë që ka vendi ynë për te pritur turistë të huaj, renditemi me 4.56 pasi ka thjeshtësuar procedurat e hyrjes së turistëve të huaj.

8.Shqipëria merr 5 pikë edhe në çmimet konkurruese që ka për turistët e huaj. Sipas indeksit vendi ynë ofron çmime më konkurruese se Mali i Zi por është më i shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.