SPAK “zbërthen” një tjetër të penduar të drejtësisë, kush është shkodrani që foli për vrasjet me pagesë në disa qytete

Elton Qyno

Një nga arrestimet me të bujshme të ndodhura në qytetin e Vlorës gjatë muajit Gusht 2022, është kthyer në dosje penale për Prokurorinë e Posaçme SPAK në Tiranë.

Bëhet fjalë për një çështje që lidhet me arrestimin e 35 vjeçarit Amarildo Nikollit alias Xhanej nga Shkodra, i cili u kap me pistoletë me silenciator në brez në Vlorë gjatë një tentative për të vrarë një personazh të botës së krimit në këtë qytet.

Nikolli ka pranuar të flasë para prokurorëve të SPAK, duke treguar sipas tij emrat e disa personazheve të botës së Krimit në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër.

Dëshmia e tij fillimisht është marrë në konsideratë por pas vendosjes së përgjuesit në ambientet ku mbahej i izoluar, ka rezultuar se kishte diçka që nuk shkonte pasi Nikolli dyshohet se ishte shtyrë nga dikush tjetër për të dhënë atë deklarim para prokurorëve.

Pavarësisht kësaj situate aktualisht çështja ndaj Amarildo Nikollit vijon të mbahet në SPAK, pasi prokurorët e çështjes janë duke vlerësuar dëshminë e tij.

Deri në këtë fazë të hetimit, SPAK ende nuk ka vlerësuar për t’i dhënë statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë 35 vjeçarit Amarildo Nikollit. Kjo pasi duhet kohë që thëniet e tij të provohen dhe të bindin hetuesit.

Por Nikolli vijon të jetë një ndër dëshmitarët në horizont të SPAK.

Fillimisht çështja ndaj Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, ndërsa informacionet paraprake tregonin se Amarildo Nikolli, kishte udhëtuar nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë në qytetin e Vlorës.

Ditën e arrestimit Nikolli ndodhej i shoqëruar në ambientet e një Pastiçerie në “Lungomare” me dy persona të tjerë të cilët mundën ti shpëtojnë kapjes nga policia lokale.

Por teksa ka qëndruar disa muaj në hetim në policinë dhe prokurorinë e Vlorës, kjo e fundit pak kohë më parë ka shpallur moskompetencën dhe rastin e Amarildo Nikollit, ja ka çuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK.

Prokuroria speciale ka nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.