Prokuroria e Posaçme ka dalë me njoftimin zyrtar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt dhe masat e sigurisë për 6 persona të tjerë, me st cilëve edhe Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, e cila është nën masën “arrest shtëpie”.
SPAK ka zbuluar korrupsionin e Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ku fondet e këtij institucioni i kalonin bashkëshortes së tij nëpërmjet OJF-ve, subjekteve apo personave fizikë, të kontrolluar nga Ajola Xoxa.
“Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim E. V.) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë;
iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit E.V”, thotë SPAK.
Por, përveç të akuzuarve, SPAK ka nisur hetimin edhe për deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushkën, e cila akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Pra, Klotilda Bushka ka penguar drejtësinë të hetojë Erion Veliajn.
“Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Kujtojmë se Klotilda Bushka është kryetare e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Akuzat e SPAK tregojnë skandalin e madh, se si një deputete e cila mban edhe një post të tillë, përfshihet në mbrojtjen e të korruptuarve dhe pengon drejtësinë të hetojë.