SPAK thellon hetimet ndaj Belinda Ballukut, kontrolle të reja te familjarët dhe sekuestrime provash

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndërmarrë një valë të re kontrollesh në kuadër të hetimeve ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e dyshuar për abuzime me tendera me vlerë qindra miliona euro.

Burime për mediat pranë SPAK konfirmojnë se janë miratuar të paktën 15 kontrolle në ambiente të ndryshme, përfshirë banesa të personave të afërt me Ballukun. Hetimet nuk janë përqendruar vetëm në procedurat e tenderimit, por edhe në verifikimin e pasurisë së personave të lidhur me të.

Ndër objektet e kontrolluara rezulton të jetë edhe banesa e Mired Recit, djali i tezes së Belinda Ballukut. Sipas burimeve, Reci ka qenë ortak me 49% të aksioneve në dy kompani, “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve zotërohet nga Meland Qirko, kunati i Ballukut.

Gjatë kontrolleve të fundit, që pasojnë ato të zhvilluara në dhjetor 2025 dhe janar 2026, janë sekuestruar celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat sipas prokurorëve pritet të ndihmojnë në avancimin e hetimeve. SPAK mësohet se ka kërkuar gjithashtu informacion edhe jashtë vendit përmes letërporosive, duke zgjeruar kështu shtrirjen e verifikimeve.

Belinda Balluku është aktualisht e pandehur për çështjen e tenderit të tunelit të Llogarasë, ndërsa vijon të jetë nën hetim edhe për disa lote të Unazës së Madhe në Tiranë, projekte që kapin vlera prej qindra miliona eurosh.

Ndaj saj janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim i daljes jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike. Më herët, mazhoranca socialiste në Kuvend rrëzoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj.

Në kushtet kur hetimet kanë hyrë në një fazë të re dhe më intensive, nuk dihet nëse SPAK do të rikthehet me një kërkesë të re për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.