SPAK sekuestron sipërfaqen tjetër të investimit të Artan Gaçit! Bashkëshorti i Xhaçkës, investitor strategjik me tokë të tjetërsuar

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pjesën tjetër të sipërfaqes së investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.

SPAK bën me dije se ka vendosur nën sekuestro preventive 5080 metër katrorë tokë, të cilën Artan Gaçi e ka përfituar nëpërmjet tjetërsimit. Për këtë çështje është arrestuar ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro dhe disa persona të tjerë të përfshirë, ndërkohë që vijojnë hetimet për Gaçin.

Më herët, SPAK vendosi nën sekuestro 5512 metër katrorë tokë, me anë të së cilës Artan Gaçi fitoi statusin e investimit strategjik, në kohën kur Olta Xhaçka ishte ende ministre.

Sipas SPAK, “nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një  pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat”.

Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në pah edhe shumën e paguar nga Artan Gaçi për të përfituar 5512 metër katrorë tokë të tjetërsuar. Në llogarinë bankare të Stavri Mëhillit janë transferuar 126 milionë e 776 mijë lekë të vjetra, çfarë do të thotë se 1 metër katror tokë buzë detit është shitur me çmimin 23 mijë lekë të vjetra.

“Gjatë hetimit janë kryer edhe verifikime pranë institucioneve bankare dhe konkretisht, nga verifikimet e kryera pranë Bankës Intesa Sanpaolo, ka rezultuar se shtetasi Stavri Mëhilli disponon llogari bankare. Nga nxjerrja e llogarisë (levizjet) në monedhën ALL (Lekë), rezulton se më datën 27.02.2020, shtetasi Stavri Mëhilli i janë transferuar/kaluar në llogari shuma prej 12,677,600 lekë me përshkrimin: “Kalim sipas kontratës nr. 296 rep nr. 171 kol datë 26.02.2020”, thuhet në dosjen hetimore.

SPAK thotë se gjithë skenari i tjetersimit për çfarë i takon regjistrimit të sipërfaqes së tokës truall prej 5512 m2, pronës me dokumenta flasë, ka qenë me qëllim shitjen e saj tek Artan Gaçi.

“Rezulton të jetë përdorur nga shtetasi Stavri Mëhilli me qëllim regjistrimin e pronës, shitjen më pas përfitimin e të hollave sipas çmimit të rënë dakord në kontratën e shitjes me palën blerëse, përfaqësuesin e personit juridik, shtetasin Artan Gaçi. Nga ana tjetër, procesi i regjistrimit të pronës në fjalë është mundësuar dhe përfunduar nga veprimtaria e kundërligjshme dhe pa bazuar në asnjë verifikim apo akt zyrtar, si dhe në tejkalimin e kompetencave të organeve të qeverisjes vendore, nga funksionarët publikë të Bashkisë Himarë, si dhe nga veprimet në kundërshtim me ligjin për nëpunësit e ZVRPP Vlorë/ASHK Vlorë”, tregohet në dosjen e SPAK.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1.      Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;

2.      Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2;

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë  28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në vijimësi edhe të njoftimeve të mëparshme të bëra nga Prokuroria e Posaçme, (sipas linkut: https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-23-03-2024-2/ ) nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një  pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.