Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar pas akuzave të Tedi Blushit se Vangjel Dule dhe Fredi Beleri nuk janë lejuar të takojnë në burg Ilir Metën.
Blushi u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të reagojnë që të reagojnë me forcë ndaj këtij akti skandaloz.
“Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët.
Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “veglë qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe që si mision të vetëm ka izolimin në ekstrem, arrestimin, hetimin, përndjekjen dhe shantazhimin e drejtuesve të opozitës në funksion të axhendave elektorale, politike dhe personale të Shefit të Organizatës Mafioze që qeveris sot vendin. Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet.
Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!”, shkruan Blushi.
Por SPAK thotë se deri në orën 15:15 nuk ka patur asnjë kërkesë pranë Prokurorisë së Posaçme nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur, teksa shton se për deputetët nuk ka nevojë leja e prokurorit për të vizituar ambientet e paraburgimit.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.