Një tjetër ministre e qeverisë së Ramës përfundon në SPAK. Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për shpërdorim detyre ndaj Ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, pas një kallëzimi të bërë nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Kallëzimi i kësaj të fundit lidhet me keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet për Covid-19, periudhë kur Manastirliu drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Në kallëzim pretendohet se gjatë pandemisë janë bërë tendera sekret nga Ministria e Shëndetësisë që drejtohej nga Ogerta Manastirliu. Procedimi Penal mban numrin 81/2024, për shpërdorim detyre.
Vokshi në daljet e saj, ka hedhur akuza ndaj Manastirliut dhe qeverisë duke thënë se shqiptarët janë më të braktisurit dhe më të keqtrajtuarit në Europë sa i takon mbështetjes nga ana e qeverisë për pandeminë.
Ndërkohë rikujtojmë se prej kohësh në SPAK janë thirrur zyrtarë të lartë të qeverisë. Teksa ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja është në hetim për koncesionin e Sterilizimit, vetëm pak javë më parë u thirr edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku. Kjo e fundit u pyet për rreth 7 orë rreth inceneratorit të Tiranës pasi hetimet për këtë aferë janë drejt fundit.
Në shkurt të ketij viti Manastirliu, u paraqit në SPAK, ku ka qëndruar për gati 2 ore e 15 minuta. Zyrtarja e lartë ka dhënë shpjegime për llogari të hetimit të Sterilizimit, në cilësinë e personit që ka dijeni.