Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish- ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe pesë të pandehur të tjerë lidhur me dosjen “SASPAC”.
Lidhur me këtë çështje, ndaj Ilir Beqajt rëndon akuza e korrupsionit, fshehje të pasurisë, shkelje e barazisë në tendera dhe mashtrimit. Beqaj u arrestua më urdhër të SPAK më 4 korrik të vitit të kaluar.
Sipas dosjes së SPAK, gjatë kohës që Ilir Beqaj ishte në krye të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), kanë qenë të paktën 8 raste, ku Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë paracaktuar fituesin e tenderit që do të bëhej. Në të gjitha rastet fitues ka dalë restoranti i Ilir Beqajt ‘Gzona’ që ndodhet tek kalaja e Tiranës.
Përveç kësaj, SPAK ka zbuluar se Beqaj ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin e sipërmendur që nga krijimi e deri në vazhdim. Ish ministri, interesat e tij pasurore mbi ketë restorant i ka ushtruar përmes Ermal Kurtulajt, i cili ishte administratori, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Gjithashtu ish-ministri ka fshehur edhe blerjen e një automjeti të blerë në vitin 2019 në emër të Kurtulajt, pasuri e cila u sekuestrua nga SPAK.
Cili është restoranti me anë të të cilit është bërë pastrimi i parave?
“Gzona” është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.
Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.
Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.
Lexo edhe: Hetimi i SPAK, BIRN: Si i përlau fondet e BE-së restoranti i lidhur me Ilir Beqjen
Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga Prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në këto përgjigjime, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për te komunikuar me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj në mënyrë që të lidhet me administratorin e restorantit, Gazmend Prenga.
Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme një automjet luksoz të modelit Audi A8, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.
Restoranti frekuentohet nga njerëzit më të pushtetshëm në kryeqytet, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, si dhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian – përfshirë ish-ambasadorin Luigi Soreca dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Megjithatë, prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.
Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.
Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani”, raporton BIRN.
Përgjimet e SPAK:
Një prej përgjimeve është edhe takimi mes Ermal Kurtulaj dhe Dorian Sadikut në restorantin “Gzona”. Sipas SPAK, dyshohet se “ata janë takuar për t’u marrë me rregullimet e dokumentacioneve përkatëse, bilanceve e të tjera për shkak të fundit të vitit, pasi në muajin dhjetor mbyllen lëshimi i faturave përkatëse dhe bëhen llogaritë në lidhje jo vetëm me biznesin “Gzona”, e cila ka për ortak të vetëm shtetasin Eduart Curri, por nisur nga fakti që takimi është kryer me shtetasin Dorian Sadiku, bashkëpronar me shtetasin Eduart Curri në shumë subjekte të tjera, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe më pas deputet”.