SPAK lëshon urdhër arresti për biznesmenin Valter Begaj, lidhja e tij me Evis Berberin, nga themelimi te shitja e kompanisë “DAAM Shpk”

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arresti edhe për biznesmenin Valter Begaj, i cili dyshohet si i përfshirë në aferat korruptive me ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberin.

Lidhja mes të dyve fillon me themelimin e kompanisë “B – VAAL ENG – 10” nga Valter Begaj, emri i të cilës u ndryshua në “DAAM” dhe u ble nga Evis Berberi në vitin 2018. Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “B-VAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi. Ashtu si “B-VAAL ENG-10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “NET-Group”.

Të dyja kompanitë rezultojnë të kenë të njëjtën adresë, siç kanë edhe të njëjtin objekt: studimin, projektimin dhe supervizimin e veprave inxhinierike.

Kompania “NET-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra në gusht të 2021 fiton një tender me vlerë rreth 175 milion lek me TVSh për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe. Firma e Valter Begaj “NET-Group” ka përfituar nga ARRSH 475 milion lekë në total, që dyshohet se janë marrë për shkak të lidhjes së Begajt me Berberin.

Gjithashtu mësohet se në pranga është vënë edhe Ervis Lami, administratori i kompanisë “DAAM”, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i Evis Berberit dhe Valter Begajt.

LEXO EDHE: Arrestohet ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash

LEXO EDHE: SPAK i gjeti në shtëpi shuma të mëdha parash dhe piktura të shtrenjta, si Evis Berberi i dha qindra milionë lekë ish-firmës së tij