Është shtyrë për më datë 17 Nëntor seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg me urdhër të SPAK që prej muajit shkurt.
Veliaj, të cilin Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrën e tij si kryebashkiak nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokatët e tij.
Në Gjykatën e Posaçme, SPAK ka lexuar parashtrimet dhe ka kërkuar kalimin e dosjes në gjykim, por avokatët e Veliajt kanë kërkuar më shumë kohë.
Për këtë arsye, u vendos që seanca e radhës të mbahet ditën e hënë, më 17 Nëntor, ku do të jepen edhe qëndrimet e mbrojtjes.
SPAK e akuzon Veliajn për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.
Pjesë e kësaj dosje janë edhe 28 persona e shoqëri, mes tyre edhe socialistja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” si dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika.