SPAK kërkesë Kuvendit të arrestojë Belinda Ballukun

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për të autorizuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Rama, që ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale pas kërkesës së SPAK. Ai thotë se arrestet pa gjyq janë bërë modë e vrazhdë në Shqipëri, teksa shton se mazhoranca do të përgatitet të mbajë një qëndrim të qartë e të drejtë.

Nuk dihet nëse Rama do ta lejojë SPAK të arrestojë Belinda Ballukun, apo do të vijojë mbrojtjen e saj, duke bërë edhe rolin e Gjykatës në këtë rast.

“Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.

Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, shkruan Rama.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti 210 milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.

Ndërkohë, SPAK nuk ka hezituar dhe ka kërkuar të arrestojë Ballukun, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra. Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.