SPAK kalon për gjykim çështjen e Evis Berberit, ish-kreu i ARRSH-së akuzohet për korrupsion e pastrim parash

Prokuroria e Posaçme ka kaluar për gjykim çështjen ndaj Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH-së që ndodhet në burg i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Berberi seancën e kaluar kërkoi gjykim të shkurtuar, ndërsa pretendoi pavlefshmëri të akteve, fshirje të korrespodencës dhe papërdorshmërinë e të dhënave të marrë nga celularët e tij, të sekuestruar gjatë hetimit.

Sipas avokatëve të tij, celularët e Berbereit janë sekuestruar vetëm mbi bazën e urdhrit të prokurorit dhe jo me vendim të gjykatës, çfarë sipas tyre përbën shkak për pavlefshmëri të akteve dhe të të dhënave.

Gjatë hetimeve, SPAK ka zbuluar se si Berberi jepte tenderat e institucionit që drejtonte te shoqëria “DAAM” sh.p.k., në pronësi të tij, por që e kishte fshrhur nën emrat e Brunilda Buli, Valter Begaj dhe Ervis Lami.

Berberi menaxhonte, kontrollonte dhe përdorte të ardhurat e shoqërisë “DAAM”sh.p.k, për shpenzime private të tij. Gjithashtu është evidentuar interesi i ndërsjellë financiar mes të pandehurve Evis Berberi dhe Valter Begaj, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për identifikimin e procedurave të prokurimit të planifikuara për t’u zhvilluar, në interes të përfitimeve reciproke mes tyre.

“Nga aktet e administruara rezulton se i pandehuri Evis Berberi, ka vepruar në procedurat e prokurimit të mësipërm, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në në një rast tjetër, nën cilësinë e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave, ka favorizuar dhe krijuar privilegje për shoqërinë pjesëmarrëse dhe fituese në këto procedura prokurimi, shoqërinë “Net Group” sh.p.k, në pronësi të të pandehurit Valter Begaj, ku në gjashtë prej këtyre procedurave të prokurimit, i pandehuri Evis Berberi ka kërkuar dhe marrë nga të pandehurit,Valter Bergaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli, përfitimin e parregullt në vlerën 77.380.973 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e treqind e tetëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë”, thotë SPAK.

Komunikimet e zbuluara në telefonat e Evis Berberit sollën edhe pezullimin nga detyra të ish-zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut, e përfshirë në aferën e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.