SPAK hetim të ri për Arben Ahmetajn, dyshime se transferoi 3 milionë euro nga Shqipëria drejt Austrisë

SPAK ka zgjeruar hetimet në lidhje me ish-zv.kryeministrin, Arben Ahmetaj, për të cilin Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e tij nga Zvicra.

Gjatë seancës gjyqësores për dosjen “Buka sh.p.k”, ku Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, prokurori Elvin Gokaj ka thënë se është rënë në kontakt se një shumë e madhe parash, konkretisht 3 milionë euro, është transferuar nga Shqipëria në një vend të BE-së, drejt Austrisë.

“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE që po verifikohet”, tha prokurori i SPAK.

Arben Ahmetaj dyshohet se ka favorizuar privatizimin e ish-shoqërisë shtetërore “Buka Sh.a”, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 7 miliardë lekësh të vjetra.

Sipas SPAK, në procedurën e privatizimit të vitit 2015 janë shkelur një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe katër vendime gjyqësore, pasi toka dhe ndërtesat në pronësi të familjes Myderzi nuk u njihet sipas ligjit, ndërsa asnjë masë nuk është marrë për kompensim adekuat.