Ish-ministri i Pushtetit Vendor dhe ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje në SPAK.
Burime për mediat bëjnë me dije se Mazniku është thirrur nga prokurorët e posaçëm për të dëshmuar në GJKKO në lidhje me dosjen “5D” që ka çuar në pranga disa prej ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë.
Ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato akuzohen për korrupsion pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Kurse Taulant Tushe për shkelje të barazisë në tendera.
Ish-zyrtarët e Bashkisë teksa mbanin pozicionin e drejtuesit të Ujësjellësit Kanalizimeve në Bashkinë e Tiranës apo të IMT kanë qenë pronarë de facto të shoqërisë “5D Construction Shpk”. Nga hetimet ka rezultuar që nga viti 2016 deri në vitin 2020 kjo kompani ka përfituar 12 tendera nga UKT, pra pjesë e Bashkisë së Tiranës, Tirana Parking dhe Klubi Sportiv SHA.