SPAK dorëzon prova të reja, Apeli i GJKKO shtyn për nesër vendimin për Erion Veliajn

Është shtyrë për të mërkurën vendimi i Apelit të GJKKO për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon të dalë nga burgu. Pas një seance, e cila zgjati 7 orë, gjyqtari Engert Pëllumbi do të vendos nesër nëse Veliaj do të qëndrojë në “arrest me burg”, apo ndaj tij do te caktohet një masë më e butë sigurie.

Seanca u shty për nesër në orën 12:30 pas disa provave të reja që kanë paraqitur dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Olsi Dado, që duket se kanë gjetur të papërgatitur Erion Veliaj dhe mbrojtjen e tij.

Ndërkohë avokati i Veliajt, Ermir Beta pasi doli nga ambientet e Gjykatës u pyet për provat e reja që u paraqitën në seancë, por ai nuk u ndal në një komunikim për gazetarët.

Avokatët e Erion Veliajt, i cili u arrestua me urdhër të SPAK më datë 10 shkurt kanë kërkuar që kryebashkiaku të lirohet në këmbim të garancisë pasurore dhe bllokimit të pasaportës. Të njëjtën kërkesë ka bërë edhe biznesmeni Elman Abule, i cili po ashtu ndodhet në burg.

Erion Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, që po hetohet edhe për fshehje pasurie. Aktualisht Xoxa është në “detyrim paraqitje” ndërsa i ndalohet që të udhëtojë jashtë vendit.