Sot votimet për kryetarin e PD, Gjergj Hani u drejtohet demokratëve: Në duart tuaja është e ardhmja e partisë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, ditën e sotme anëtarët e Partisë Demokratike në Shqipëri u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj force politike. Një garë e konsideruar fiktive ajo që mbahet mes Lulzim Bashës dhe Gjergj Hanit. Duhet të ishte një proces i qetë për të gjithë demokratët, por 29 korriku i gjen ata edhe më të përçarë se një vit më parë.

“Rivali” i Bashës u është drejtuar me një mesazh të shkurtër të gjithë demokratëve ndërsa i fton që ta votojnë për të filluar rrugëtimin për një Shqipëri si gjithë Europa.

“Pershendetje te nderuar demokrate! Ftoj te gjithe ju, te votoni neser, sepse ne duart tuaja eshte e ardhmja e PD-se. Force politike ne te cilen secili prej nesh ka investuar enderren e tij per nje Shqiperi si gjithe Europa.

Falenderoj te gjithe ata-ato qe neser, permes votes se tyre do ti japin jete enderres sone te perbashket, ne menyre qe te filloje rrugetimin per ta bere, sa me shpejt, rrealitet”, shkruan Gjergj Hani, kandidat për kryetar të Partisë Demokratike.

Votimi është hapur zyrtarisht prej orës 08.00 të mëngjesit të kësaj të shtune dhe 25 mijë demokratë mund t’u drejtohen 71 qendrave të votimit në gjithë vendin, për të shprehur vullnetin e tyre. Votimi mbyllet zyrtarisht në orën 19.00 të pasdites së sotme.