Sot Kuvend, Gazment Bardhi: Të miratojmë kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt

Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar që të ndryshohet rendi i ditës dhe të diskutohet për Arben Ahmetajn.

Bardhi i ka dërguar në shkresë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla ku i kërkon që të diskutohet kërkesa e SPAK për Ahmetajn.

Gazment Bardhi shprehet se: “Sa kohë kërkesa përmban edhe nevojën për të autorizuar kontrollin e banesës së deputetit, si dhe nisur nga informacionet që z. Ahmetaj është larguar në datën 07.07.2023 nga territori i Shqipërisë, për të shmangur çdo vonesë që do t’i jepte kohë z. Ahmetaj, të humbë kontaktet për gjetjen e tij apo të kryente veprime që mund të pengonin drejtësinë, përmes zhdukjes apo fshehjes së provave kërkojmë Ndryshimin e Rendit të Ditës së seancës plenare të datës 13.07.2023.”

Bardhi kërkon të miratohet dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës, të deputetit z.Arben Ahmetaj.

Ai shkruan se kërkesa e SPAK duhet të vendoset si pikë e parë e Rendit të Ditës dhe iu drejtua kryeparlamentares “duke shpresuar se nuk do të bëheni pengesë për organet e drejtësisë dhe do të përmbushni detyrimin tuaj sipas Kushtetutës dhe Rregullores.”