Festa e Fiter Bajramit është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë dhe shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Besimtarët myslimanë, ashtu siç do vit falën Namazin në Sheshin Skënderbej. Ceremonia nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën, ndërsa namazi u fal në orën 07:30.
Për besimtarët myslimanë tashmë është hapur edhe xhamia e Namazgjasë, e cila u inaugurua dhe u hap të besimtarët në tetor të 2024-ës, ku u pranishëm ishte edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
Pas një muaji agjërimi dhe adhurimi, besimtarët festojnë këtë ditë me lutje speciale, pastrim shpirtëror dhe festë me familjen dhe miqtë.
Fiter Bajrami është një ditë e cila i bashkon anëtarët e familjes dhe rrethin e ngushtë, zbut zemrat e njerëzve, tregon ngrohtësinë familjare si dhe sjell në pah solidaritetin dhe dashurinë më shumë se në çdo kohë tjetër
Përveç lutjeve, njohurive dhe kënaqësive shpirtërore, është një moment për t’u kujdesur për ata që kanë nevojë, duke dhuruar zakat (dhurata për bamirësi). Besimtarët shpesh veshin rroba të reja, shkëmbejnë dhurata dhe vizitojnë të afërmit dhe miqtë për të festuar.
Në disa vende, kjo festë shoqërohet me aktivitete të ndryshme kulturore dhe shoqërore, ku njerëzit shpesh mblidhen në sheshe dhe vende publike për të kaluar kohë së bashku dhe për të shijuar ushqimet tradicionale.
Media Ditari uron të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fiter Bajramin!