Sot 14 vite nga protesta e 21 janarit ku humbën jetën katër qytetarë, Rama: Drejtësia vonon po nuk harron

Kjo e martë shënon 14 vite nga 21 janari i vitit 2011, ku në një protestë të organizuar nga PS, atë kohë në opozitë, humbën jetën 4 qytetarët, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj dhe u plagosën disa të tjerë.

Dosja për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar të 2011-es është tashmë në duart e SPAK teksa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.

Në fakt ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti 21 janarin krim shtetëror që i hapi rruge hetimeve nga SPAK, me këtë të fundit që regjistroi procedimin penal në korrik të vitit të kaluar.

Kryeministri Edi Rama në 14 vjetorin e ngjarjes tragjike është shprehur se drejtësia vonon por nuk harron. Sipas kreut të qeverisë, kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë.

“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…’, shkruan Rama.

Kujtojmë se Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” 10 vite pas ngjarjes së rëndë. Si çdo vit edhe këtë 21 janar nuk do të mungojnë homazhet nga familjarët dhe politikanët në vendin ku u vranë protestuesit. Padyshim që 21 janari është një ndër ngjarjet më të rënda në Shqipëri ndërsa familjarët e viktimave, nuk kërkojnë gjë tjetër veçse drejtësi, pasi kjo ngjarje nuk është zbardhur e plotë dhe vijon të prodhojë debate.