Ish ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu ka mbështetur nga foltorja e Kuvendit protestën e studentëve të mjekësisë.
Sipas tij plani i qeverisë për kushtëzimin e diplomave që po ju bëhet këtyre studentëve është një formë e skllavërisë moderne që krahasohet me metodat e Kim Jong Un-it.
“Ajo që po ndodh sot me studentët e mjekësisë është e paimagjinueshme, ndodh vetëm në regjimet komuniste. Ti thuash studentit të mjekësisë sot që nuk do të jap diplomën për 3-5 vjet, është një formë skllavërie moderne, një formë e punës së detyruar dikur. Dikur përdorinin kampet, sot kanë shpikur të tjerë elementë. Unë mbështes protestat e studentëve, janë në të drejtat e tyre. E drejta e arsimimit, është një e drejtë universale që nuk mund të shkelet.
Studentët paguajnë 450 mijë lekë çdo vit. Është shkelje e madhe e të drejtës universale për studim. Shkolla publike duhet të jetë gratis. Ka edhe lehtësira të tjera. Shikoni Kosovën si e keni. Pastaj thonë nuk do specializohesh. Një student që përfundon universitetin, nuk mund të punojë mjek pa specializim. Ndërsa këta thonë do të punosh si mjek pasi ke mbaruar universitetin. Ai do të kryejë një punë jo të kualifikuar.
Shkatërrohen shumë element, shkatërrohet zhvillimi i sistemit shëndetësor shqiptar. Që të kthehen në Shqipëri, duhet t’i krijosh ti kushte. Vetëm Kim Jong Un mban me urdhra administrative. Në Shqipëri nuk ka asnjë fond për kërkimin shkencor. Mjeku është mjek, ka nevojë për këta elementë. Ne i trajtojmë mjekët si bujkrobër, si skllevërit e dikurshëm”, është shprehur Shehu.