Skënder Hita është betuar ditën e sotme si drejtori i ri i Policisë së shtetit, në një ceremoni ku ishin të pranishëm zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Ai u zgjodh pas garës ku morën pjesë 16 kandidatë, pas shkarkimit të ish-drejtorit Ilir Proda.
Në fjalën e tij, Hita tha se sfida kryesore mbetet thellimi i rezultateve dhe rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, teksa u zotua për luftë ndaj korrupsionit.
“Kam nderin të marr detyrën më të lartë në organizatës sonë. Gjej rastin e veçantë të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë. I jam mirënjohës çdo efektivi të policisë, që shërben në krye të detyrës. Mbetet sfidë, thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit nga qytetarët mbi policinë. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjitha territorin, janë misioni im.”, tha ai.
Ndërsa ministri Lamallari theksoi mbështetjen e plotë ndaj kreut të ri të Policisë, duke u shprehur se të gjithë efektivët duhet të përmbushin misionin e tyre si shërbëtorë publikë ndaj vendit.
“Është kënaqësi që të marr pjesë në këtë moment të rëndësishëm për Policisë së Shtetit për drejtorin e ri, në një kohë kur nevoja për këtë strukturë është e madhe. Përtej solemnitetit të këtij rasti, dua të nënvizoj disa fakte. Për të mbërritur në këtë proces, u kaluan disa faza. U sigurua që drejtim i këtij institucioni kyç t’i besohet një figure me besim. Fituesi duhet të ishte një dhe vetëm një, por vlerësoj të gjitha kandidaturat. Lidhur me kandidatin fitues, që ka marrë bekimin e ministrit dhe qeverisë, jam i bindur, që të gjithë që jeni këtu sot, ndani bindjen se zoti Skënder Hita është një figurë e rëndësishme, duke garantuar stabilitet. Është personalitet karriere. Duhet të përmbushim misionin tonë, si shërbëtorë publikë ndaj vendit. Integrimi i vendit në BE bëhet si mision me rëndësi, në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Negociatat janë të hapura dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo nuk është retorikë. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e stabilitetin.”, tha Lamallari.