Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA kanë goditur një rrjet kriminal, i cili merrej me kontrabandë të qenie njerëzore. Për këtë janë arrestuar tre shtetas të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Sipas burimeve zyrtare, të dyshuarit kanë ndihmuar në mënyrë të paligjshme kalimin e kufirit të shtetasve shqiptarë, fillimisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe më pas drejt ishujve Karaibe, me destinacion përfundimtar Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hetimet disa mujore të policisë kanë zbuluar se koka e grupit, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, siguronte dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe organizonte lëvizjen e emigrantëve nëpër disa shtete tranziti. Dyshohet se ai kishte precedentë të mëparshëm penalë për veprimtari të ngjashme.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se për këtë “shërbim”, grupi kërkonte shuma që varionin nga 20 mijë deri në 35 mijë dollarë për person, me premtimin e sigurimit të azilit apo vendosjes së përhershme në SHBA dhe Kanada.
Policia ka sekuestruar prova materiale dhe vijon hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, si dhe për shtrirjen ndërkombëtare të rrjetit.
Njoftimi i Policisë:
Operacioni policor i koduar “Rrjeti”, nga Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës.
Arrestohen 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore, e njohur ndryshe si dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve shqiptarë, drejt Kanadasë, Shteteve të Bashkuara etj.
Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer arrestimin e shtetasve H. M., 58 vjeç, L. M., 58 vjeç dhe C. N., 62 vjeç.
Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë, nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, dyshohet se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit.
Policia e Shtetit gjen dhe një herë rastin të falënderojë Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, partnerët ligjzbatues amerikanë DSS/OCIU këtu në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, të cilët kanë koordinuar dhe bashkërenduar ngushtë punën me agjencitë e tyre homologe në Republikën e Kosovës dhe Republikën Domenikane, por dhe me partnerë të tjerë ligjzbatues në Policinë e Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali.
Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar.