SKANDALI/ Policët marrin “TOLLONA GJYSMAKË”, nuk lejohen pelenat dhe produktet e higjienës, si turpërohen në kasat e supermarketeve

Vijon degjenerimi që u bëhet efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët tashmë po turpërohen edhe në kasat e supermarketeve.

Pas shumë muajve pritje për të marrë paratë e dietave ushqimore, Ministria e Brendshme vendosi që lekët t’i marrin në formë të tollonave, duke i detyruar të blejnë ushqime me karta në disa supermarkete të zgjedhura.

Por, këtu fillojnë probleme të tjera për policët, pasi me këto karta nuk mund të marrin të gjitha ushqimet që dëshirojnë, por vetëm ato që caktojnë supermarketet, të cilat duket se përfitojnë nga rasti të heqin nga raftet produktet që nuk shiten shpesh.

Në denoncimin e ardhur në Media Ditari, disa prej efektivëve të Policisë së Shtetit thonë se janë ndjerë të turpëruar në kasat e supermarketeve, kur punonjëset u kanë thënë se nuk mund të përfshinin në pagesën me kartë produkte si pelenat për fëmijët apo produktet e higjienës.

Një absurditet, pasi ka shumë punonjës policie me fëmijë të vegjël që duhet t’u blejnë pelena, por tashmë do të detyrohen të shpenzojnë më shumë, për shkak se me kartat e dietave nuk i përfshijnë këto produkte.

Për të ardhur më pas te produktet e higjienës, ku policët nuk lejohen të blejnë as sapunë me kartat e supermarketeve. E pazakontë, por më shumë e turpshme për këtya efektivë policie, që pasi u detyruan të punojnë nga 12 orë në mes të verës dhe iu mohuan pushimet verore, tashmë duhet të ulin kokën përpara kasave të supermarketeve.

Paratë që duhej t’i merrnin dhe t’i shpenzonin sipas dëshirës, pasi janë të ardhura të fituara me djerës dhe jo me tendera ministrish, tashmë do t’i përdorin sipas interesave të disa bizneseve, që shtojnë fitimet në kurriz të punonjësve më të nëpërkëmbur të këtij shteti.

Një turp i nisur nga Taulant Balla dhe që po vijon me ministrin Ervin Hoxha, që policët i përdorin për të shtypur protesta të drejta, por që nuk u japin atë që meritojnë, paga të larta dhe dinjitet.

E dimë që kjo çështje nuk do të ketë vëmendjen e duhur për shkak se cënohen interesat e disa kompanive të caktuara që janë mësuar të paguajnë për të fshehur lajmet, por ne si Media Ditari do të denoncojmë gjithmonë padrejtëssitë që u bëhen të gjithë punonjësve të ndershëm të këtij vendi.