Një ditë më parë, studiuesi Auron Tare denoncoi se pranë monumentit të kulturës Shpella e Spilesë në Himarë, po ndërtohej një lavazh automjetesh, ndërsa nuk vonoi edhe reagimi nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cila e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Sipas MEKI-t, inertet që shihen në foton e publikuar nga Tare do të përdoren për disa projekte që synojnë rijetëzimin e Shpellës së Spilesë.
Madje Ministria e drejtuar nga Blendi Gonxhja ka publikuar edhe disa foto të këtij projekti, por siç duket njëra prej tyre është e vjedhur, por e vërteta është ndryshe.
Në një reagim tjetër, Auron Tare shkruan se një nga fotot e publikuara nga Ministria për këtë projekt, në fakt është një foto e bërë e një projekti në një shpellë në Kinë. Një skandal nga kjo ministri që vjedh foton e një projekti në Kinë dhe ua shet shqiptarëve si projekt për shpellën e Spilesë në Himarë.
Reagimi i Auron Tares:
Shokë të MEKI-t, të jemi pak më seriozë dhe mos u tallni me taksapaguesit tuaj.
Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spillesë në Himarë më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne te inteligjences Artificiale , isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t.
Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, te shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellës bazuar në imazhet e pikturuara dhe gërmimet arkeologjike me Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për Shpellën më intrigoi.
Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund.
Imazhi i parë i MEKI-t duket se nje person me shume gjasa një kinez i cili me një projektor në dorë krijon dritehije në shpellën e ndriçuar pas tij.
Në botën e teknologjisë së sotme nje femije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe.
Në fakt, mua më deshen pak me shume se 10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpellë Kineze, në provincën e Huashan.
Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është:
A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spillesë në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spille me Budën e Huashanit?
Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spillesë, një shpellë që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerike?
Sugjerim për drejtuesin e MEKI-t:
Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spillesë, bazuar në zbulimet arkeologjike. Duke e lidhur këtë Shpellë me të gjithë arealin Homerik në Epirin Antik. Përfshirë këtu edhe iso polifoninë e ardhur nga ajo periudhë.
Ky projekt i dashur Gonxhe kërkon specialistë të mirëfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektricistë që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull.
Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik.
Faleminderit.
Më poshtë: foto nga MEKI dhe foto nga projekti i Huashanit.
Foto numer 1 Nga Deklarata zyrtare e MEKI-te te Republikes se Shqiperise.
Foto numer 2. Projekti I Shpelles se Huashan, Provinca Tunxi, Huangshan City, Republika Popullore e Kines.