Ka përfunduar seanca gjyqësore në GJKKO për të akuzuarit lidhur me tenderat e AKSHI-t që janë nën hetim.
GJKKO la në fuqi masën e “arrestit në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoreshën Hava Delibashi.
Karçanaj dhe Delibashi akuzohen për veprat penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Për zv.drejtorin e Policisë së Tiranë, Erion Ismailaj, Gjykata e Posaçme la lënë në fuqi masën e “ndalimit të daljes jashtë vendit”, dhe pezullimin nga detyra”.
Për tre të dyshuarit e tjerë Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat “ndalim të daljes nga vendi”.
Ndërkohë për dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, për të cilët SPAK ka kërkuar “arrest me burg”, masa ndaj tyre nuk është ekzekutuar ende pasi janë arratisur.
Sipas SPAK, këta persona, duke vepruar si grup kriminal, kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara.
Dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen se përmes pengmarrjes e shantazheve kanë detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).