Skandali me mbetjet, “Kurum” dhe “Sokolaj” me dijeni të plotë për rrezikshmërinë e tyre

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Durrësit, sa i takon mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, ku u lëshuan 33 masa sigurie.

26 prej tyre janë “arrest me burg”, ndërsa 7 persona janë vendosur në “arrest shtëpie”.

Sipas Prokurorisë, masat e sigurisë përfshijnë administratorë dhe përfaqësues të kompanisë “Kurum”, si dhe të kompanive Sokolaj, Alliance Resource shpk dhe Bajrami N shpk, por edhe zyrtarë shtetërorë.

Prokuroria e Durrësit ka dalë në konkluzionin se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve kanë ndërmarrë veprime për të fshehur llojin e vërtetë të tyre, në bashkëpunim me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë duke shmangur detyrimet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.

Hetimi zbulon se dy kompanitë i hapën rrugën kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme përmes falsifikimit të klasifikimit të tyre; ato u përshkruan në dokumente herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku, të pashoqëruara me kodin e tyre.

“Rezulton se shtetasja Gjovana Sokolaj në agjencinë doganore ka deklaruar produktin si “oksid hekuri” ashtu si edhe është përcaktuar në kontratën me shoqërinë Kurum, ndërkohë që fatura e deklaruar në tatime është oksid zinku dhe në faturën e shitjes bërë shoqërisë GS Minerals d.o.0 me seli në Kroaci, i ka shtuar si element në kllapa kodin ZN pra “Okside hekuri (ZN).

Në vitin 2023 Sokolaj i drejton Ministrisë së Mjedisit një kërkesë tjetër për tu pajisur me autorizim për eksport mbetjesh të rrezikshme e konkretisht:

Me shkresën e datës 07.03.2023 subjekti Sokolaj i ka drejtuar kërkesë për autorizimin e eksportit të mbetjeve Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, protokolluar te kjo Ministri me nr.283/1prot., date 30.03.2023.

Nga kjo shkresë rezulton se, subjekti Sokolaj bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a, ndër të tjera angazhohet t’i blejë dhe mbetjet me kod 100207* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme). Sasia vjetore e këtyre mbetjeve është 25000 ton/vit për vitin e parë pasi ka stok sasie. Kjo sasi do të dërgohet deri në përfundimin e kontratës me blerësin 31.12.2029. Sasia totale parashikohet 50.000 ton deri në 21.12.2029”, thuhet në dosjen hetimore.