SKANDAL/ Rama publikon hartën ku Kosova shfaqet pa kufij të qartë me Serbinë

Kemi dëgjuar shpesh Edi Rama të flasë për Kosovën, për pavarësinë e saj dhe për lirinë e ish-krerëve të UÇK-së, duke u paraqitur si një “baba i Kombit”. Por, ndryshe nga fjalët, veprimet e tij në raport me Kosovën dhe Serbinë shpesh lënë shumë për të dëshiruar.

Dihet tashmë raporti i mirë që kryeministri shqiptar ka me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Madje, të dy kanë dalë edhe me iniciativa të përbashkëta, si ajo për integrim të përshpejtuar në tregun europian dhe hapësirën Schengen, një ide që nuk gjeti mbështetje nga Bashkimi Europian.

Nga ana tjetër, po aq i njohur është edhe raporti i tij i tensionuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin Rama e ka sulmuar publikisht në disa raste, sidomos kur Kurti nuk ka pranuar kompromise që shihen si në favor të Serbisë.

Por sot, Edi Rama ka bërë një tjetër gafë të rëndë. Në vrullin për të shpërndarë propagandën e tij, ai ka publikuar një hartë të rajonit të Ballkanit ku, për çudi, ndryshe nga shtetet e tjera, kufiri i Kosovës me Serbinë paraqitet me vija të ndërprera.

Po çfarë do të thotë kjo?

Në hartë, vijat e ndërprera përdoren për të treguar kufij të papërcaktuar qartë ose të kontestuar. Pra, një paraqitje e tillë lë të kuptohet sikur kufiri i Kosovës nuk është përfundimtar apo i pranuar plotësisht. Një mesazh i papranueshëm, sidomos kur vjen nga kryeministri i Shqipërisë.

Shqipëria është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe duhet të jetë mbështetësja e saj më e fortë në çdo aspekt. Publikimi i një harte të tillë krijon dëmton qëndrimin e qartë që duhet të mbajë Tirana zyrtare.

Bashkimi Europian, SHBA dhe aleatët ndërkombëtarë kanë theksuar vazhdimisht se kufijtë e Kosovës janë të pacënueshëm dhe nuk mund të vihen në diskutim, pasi për këtë kufi janë bërë sakrifica të mëdha dhe është derdhur gjak.

Por, lind pyetja: si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë të publikojë një hartë që lë hapësirë për interpretim mbi kufijtë e Kosovës?

Gabim teknik apo mesazh i qëllimshëm? Në të dy rastet, ky është një skandal që kërkon shpjegim.

Harta e publikuar nga Edi Rama:

PËRDITËSIM:

Pas shumë komenteve kundër në postimin fillestar në lidhje me hartën e publikuar, Rama vendosi të ndryshojë foton e hartës, duke publikuar një tjetër ku kufiti i Kosovës është i qartë.