S’ka më naftë pa taksa për fermerët, Rama: E hoqëm sepse abuzonin, nuk përdorej vetëm për bujqësinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit për fermerët, të cilët nuk do të përfitojnë më naftë pa taksa.

Gjatë një takimi me sipërmarrës të sektorit të përpunimit të vajit të ullirit në qytetin e Beratit, Rama tha se ky vendim është marrë për shkak të abuzimeve.

Sipas tij, nafta që jepej pa taksë për fermerët përdorej edhe për qëllime që nuk lidhen me bujqësinë, teksa shtoi se ky ndryshim nuk do të ndikojë në prodhim.

“Nafta ka qenë një sfidë për bujqësinë, sepse ne jemi përpjekur ta kthejmë atë nga disa anë. Kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërsa fuqia prodhuese nuk e ka këtë lloj proporcioni. Në këtë kuptim, ne nuk kemi hequr mbështetjen për askënd, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk lidhen me bujqësinë. Shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve janë detyruar ta marrin naftën dhe t’ua japin të tjerëve. Ne jemi detyruar të provojmë disa mënyra, dhe kjo tani vjen si rezultat i njohurive të formalizimit, i cili do t’ju japë mundësinë të keni më shumë mbështetje nga shteti dhe të përfitoni nga fondet evropiane. Një nga sfidat më të vështira të anëtarësimit në BE është siguria ushqimore. Standardet e sigurisë ushqimore duhet të garantohen. Unë besoj se shqiptarët kanë aftësinë të përshtaten, por duhet të fillojmë të punojmë që tani për atë që dëshiron Bashkimi Evropian. Ne duhet t’i përmbushim standardet si vend i BE-së”, u shpreh Rama.