Situata nga zjarret paraqitet kritike edhe në zonën e Gramshit këtë të martë. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë urdhër evakuimi për banorët e tre fshatrave në Gramsh.
Ndërkohë në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.
Në njoftim sqarohet se zona prej orëve të para të mëngjesit po përballet me dy fronte të rrezikshme zjarri.
“Është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit. Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit”- thotë ministria.