Sipas një studimi amerikan, gjatë Luftës së Parë Botërore nevojiteshin mesatarisht 7.000 të shtëna me pushkë për të vrarë një ushtar armik. Gjatë Luftës së Vietnamit, shifra u rrit në më shumë se 25.000. Pra, për 505 vrasjet e kryera nga Simo Häyhä, në Vietnam do të duheshin më shumë se 13.550.000 plumba.
Ai mbetet snajperi më vdekjeprurës që ka jetuar ndonjëherë. Simo Häyhä lindi në 17 dhjetor 1905, në Juho dhe Katriina (Nee Vilkko), në komunën Rautjärvi. Kjo zonë gjendej në rajonin e vjetër finlandez të Karelias, tashmë pjesë e Rusisë.
Ai merrej me bujqësi në fermën e tij, por gjatë jetës kishte pasione të ndryshme, ku më të rëndësishmet ishin skijimi në dëborë, gjuetia dhe qitja. Häyhä luftoi për vendin e tij Finlandën kundër Bashkimit Sovjetik, në atë që historia e njeh si “Lufta e Dimrit”, konflikti i përgjakshëm që u zhvillua në dimrin e viteve 1939-1940.
Ai shërbeu për 98 ditë në Batalionin e VI-të të Këmbësorisë. Lufta zgjati vetëm 105 ditë, por Simo Häyhä nuk e pa dot fundin e saj, pasi u plagos dhe u shtrua në spital gjatë javës së fundit të konfliktit. Gjatë luftimeve, Häyhä u bë i famshëm për shënjestrën e pazakontë ndaj ushtarëve rusë dhe me një saktësi vdekjeprurëse, duke vrarë deri në 25 burra brenda një dite.
Shumë shpejt fama e tij mbërriti deri në frontin rus, ndërsa armiqtë filluan ta etiketonin si “Vdekja e Bardhë”. Në një rast, pasi Häyhä kishte vrarë një snajper armik me një goditje të vetme, rusët u përpoqën ta eliminonin përmes bombardimeve me mortaja në pozicionin që kishte zënë.
Por Simo nuk u vra dhe as u plagos, ndërsa në një bombardim tjetër pësoi vetëm një gërvishtje të lehtë në shpinë. Edhe pse kalonte shumë kohë në vijën e frontit, Häyhä thoshte se nuk kishte frikë. Ai sillej si të ishte në gjueti, dhe mendonte gjithmonë për manovra të reja për t’u fshehur dhe mashtruar armikun.
Ai përdori disa teknika të zgjuara, siç ishte derdhja e ujit mbi dëborën para tij, në mënyrë që shpërthimet të mos ia zbulonin vendndodhjen. Po ashtu Simo u bë një mjeshtër i përdorimit të tingujve, tymit dhe zjarrit të artilerisë, për të mbuluar lëvizjet e tij kur ndryshonte pozicionet.
Për shkak të hartave shumë të pakta gjatë luftës, Häyhä u mbështet tek kujtesa e tij për të gjetur pozicionet më të mira për t’u fshehur. Gjatë natës, ai vizitonte shpesh pozicionet e tij të “preferuara” të qitjes, duke bërë përgatitjet dhe përmirësimet e nevojshme.
Sjellja e tij mund të përshkruhet si obsesive, për shkak të përkushtimit të madh për mirëmbajtjen e armëve. Ai do të pastronte snajperin e tij shumë më shpesh se shumica e ushtarëve të tjerë. Në temperaturat mesatarisht -20°C të dimrit finlandez, mirëmbajtja e duhur e armës ishte jetike për të shmangur bllokimin e saj.
Armën që përdorte, M /28-30, e mbante me leje që para luftës. Ajo nuk kishte dylbi, oor ishte një pushkë standarde për këmbësorinë finlandeze në fundin e viteve 1930. Gjithsesi Häyhäpreferoi besueshmërinë e modelit dhe qëndrueshmërinë e të shtënës së armës.
Ajo ishte një armë e thjeshtë, por ai ia kishte dalë të përsoste përdorimin e saj, duke preferuar distancën e zakonshme luftarake prej 150 metrash. Një mit i çuditshëm mbi snajperët, është se ata ngjiteshin në pemë për ta goditur armikun. Por Häyhä qeshte kur pyetej për këtë.
Sepse ngjitja në pemë do ta bënte jo vetëm shumë më të vështirë mbajtjen nën shenjestër tëarmikut për një kohë të gjatë, por nëse ai do të zbulohej s’do të kishte asnjë rrugë shpëtimi.
Prandaj, Häyhä përdorte degët e pemëve për t’u maskuar. Aftësitë e jashtëzakonshme të Häyhä si një qitës ishin zhvilluar që në rininë e tij, duke kaluar shumë kohë në natyrë, dhe duke shkuar rregullisht nëpër pyje për gjueti.
Ai kishte gjuajtur shpesh zogj që reagonin edhe ndaj zhurmës më të vogël që dëgjonin. Häyhä duhej të mprihte edhe shikimin për të dalluar dhe njohur objektivat. Në gjueti nuk ka metoda të pagabueshme, pasi çdo situatë dhe gjendje është unike.
Häyhä e dinte se kur një gjuetar qëllon mbi objektivin e tij, ai duhet të jetë në gjendje ta vëzhgojë atë, pasi çdo pre do të përpiqet të shpëtojë nëse gjuajtja e parë nuk është vdekjeprurëse. Çdo kafshë do të përpiqet të mbrohet derisa të vdesë, dhe kjo vlen edhe për njerëzit në fushën e betejës.
Përvojat e gjuetisë e mësuan Simon se si të analizonte dhe përdorte terrenin, dhe ai ishte mjeshtër në shfrytëzimin në avantazhin e tij të terrenit të fushës së betejës. Përveç këtyre aftësive, babai i kishte mësuar një aftësi shumë të rëndësishme që duhet ta ketë gjahtari: aftësinë për të vlerësuar distancat.
Dhe kjo nuk ishte një aftësi me të cilën ai kishte lindur. Ai bëri shumë praktikë, fillimisht duke vlerësuar distancën nga një objektiv, dhe më pas duke e matur me hapat e tij. Në shumicën e rasteve vlerësimi i distancës prej tij ishte pothuajse i përsosur.
Kur verifikonte vlerësimet e tij, diferenca ishte zakonisht 1 ose 2 hapa në afro 150 metra. Po ashtu, që në moshë të re mësoi të vlerësonte efektet e erës dhe shiut tek të shtënat në pyll. Me karakterin e tij unik dhe përgatitjen e gjatë, ai u shndërrua në një makth për trupat sovjetike në pyjet dimërore të Finlandës, derisa u plagos në 6 mars 1940, në pyjet e Ulismaa, në rajonin e Kollas.
Simo u godit nga një plumb shpërthyes gjatë një sulmi nga ana e rusëve, para se të binte në koma, nga e cila nuk do të dilte deri në një javë më vonë, kur edhe qe nënshkruar tashmë armëpushimi midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik. Häyhä vuajti për shumë vite nga dhimbjet e vazhdueshme në fytyrë.
Pasi mbaroi lufta, u rikthye në fermën e tij. Bëmat e tij në luftë u bënë legjendare në Finlandë dhe ai u bë një lloj “vipi”. Megjithatë preferoi të qëndronte më shumë me veten e tij. KaleviIkonen, një mik i Häyhä-s kujton:“Simo fliste më shumë me kafshët në pyll, se sa me njerëzit e tjerë”.
Megjithatë, duke pasur parasysh se iu nënshtrua në total 26 operacioneve kirurgjikale në nofull, dhe e folura nuk iu rikthye asnjëherë plotësisht, nuk është e vështirë të kuptohet pse nuk donte të komunikonte me të tjerët, më shumë sesa ishte e nevojshme.
Deri kur u zhvendos në Institutin Kymi për Veteranët me Aftësi të Kufizuara, në vitin 2001, ai jetoi i vetëm në shtëpinë e tij dhe ndërroi jetë në vitin 2002, në moshën 96-vjeçare. SimoHäyhä ishte snajperi më i suksesshëm që ka jetuar ndonjëherë, pasi kuptoi gjithçka ndodhte rreth tij.
Personaliteti i tij ishte ideal për një snajper, me gatishmërinë për të qenë i vetëm dhe me aftësinë për të shmangur emocionet që shumëkush do të kishte për një punë të tillë. Duke marrë parasysh shtatin e tij të shkurtër, Simo kishte lindur për gjuetinë dhe përdorimin e snajperit.
Gjatë shumë intervistave, ai nënvizonte gjithnjë leksionin e tij më të vlefshëm të jetës: “Lufta nuk është një përvojë e këndshme. Po kush tjetër do ta mbronte këtë vend, nëse s’do të ishim të gatshëm ta bënim ne finlandezët?”.