Siguria ushqimore/ AKU e konfirmon: Qumësht me aflatoksinë është konsumuar edhe në Vlorë

Pasiguria ushqimore është rritur gjatë javëve të fundit pas zbulimit të disa rasteve, si mishit të pulës me salmonelë, luleshtrysheve me pesticide dhe së fundmi qumështit me alfatoksinë M1.

Raportohet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 në disa mostra qumështi të analizuara në qytetin e Vlorës, një substancë që mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, veçanërisht për fëmijët.

Burime për mediat bëjnë me dije se nga 26 mostra të marra nga janari deri në pril 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive

Menjëherë pas konfirmimit të analizave laboratorike të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), AKU nisi verifikimet në pikat e shitjes ku dyshohej se ishin shpërndarë produktet e kontaminuara. Të gjitha produktet e identifikuara si të pasigurta janë tërhequr nga tregu. Megjithatë mbetet dyshimi se një pjesë mund të jetë konsumuar.