Si u dogj Durrësi në vitet 170/171 pas Kr. Çfarë tregojnë dy thesaret e zbuluara në vitin 1941 dhe 2010

Çfarë tregojnë dy thesaret e zbuluara në Durrës në vitin 1941 dhe vitin 2010, për shkatërrimin e qyteteve të Ilirisë gjatë shekullit të dytë, lidhja e tyre e mundshme me murtajën e Antoninit dhe sulmet e fiseve Kostoboke.

Studimet mbi të shkuarën e Ilirisë së Jugut dhe Dyrrachium-it si pjesë e saj vazhdojnë të jenë tema prioritare të arkeologëve shqiptarë. Këto studime paraqiten në revista arkeologjike vendase apo të huaja, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë të prekshme nga ana e lexuesve joprofesional. Në këtë formë, të rejat e përftuara nga studimet shumëvjeçare mbeten brenda një rrethi të ngushtë të specialistëve të fushës, vendas apo të huaj, duke mos u njohur nga publiku i gjerë. Me qëllim që të ngushtojmë sadopak hendekun mes ketyre dy anëve po trajtojmë një ngjarje historike tërësisht të panjohur më parë, dhe të botuar së fundmi nga ne në një nga revistat arkeologjike gjermane.[1] Bëhet fjalë për një ngjarje të dhunshme që solli zjarre e shkatërrim masiv në Durrësin antik, në vitet 170/171 pas Kr. Në vazhdim, do të paraqesim një përmbledhje të studimit, pa u zgjatur në detajime profesionale apo referenca bibliografike. Për të interesuarit që kërkojnë më shumë informacion, të dhëna më të detajuara mund të gjenden në linkun e cituar.

Me shkatërrimin e mbretërive e federatave vendase të Ballkanit perëndimor nga ana e Romës përgjatë shek. III-II para Kr., prakitikisht i gjithë territori hyri nën kontrollin ushtarak e administrativ të fuqisë së re. Në shekullin që pasoi, përballjet ushtarake ishin pothuaj gjithmonë luftërat civile mes pretendentëve romakë për të kontrolluar pushtetin në Romë dhe territoret e saja që po zgjeroheshin vazhdimisht. Me mbylljen e këtyre lutërave civile dhe shpalljen e Octavian Augusti-t si fitimtari i përballjeve ushtarake, mori jetë ajo që quhet Paqja Romake. Praktikisht, në provinca nuk kishte më histori. Ajo zhvillohej në Romë dhe në kufijtë e perandorisë ku vazhdonin betejat me fiset barbare ende të panënshtruara. Në provincat romake nuk hasim më në ngjarje të vrullshme historike, me mbretër e gjeneralë, aleanca të hapura e të fshehta, beteja në tokë e në det, si në shekujt e para sundimit romak. Tre shekujt e parë pas Krishtit janë trajtuar nga studiuesit si pjesë e një qetësie të madhe historike, me mungesë ngjarjesh, ku arkeologët mund të studionin kryesisht aspekte të jetës së përditshme, si raportet ekonomike, problematikat sociale, çështje të besimeve fetare, lëvizjet demografike, etj.

Përgjatë gërmimeve arkeologjike në Durrës, që nga vitet 80 të shekullit të kaluar filluan të evidentoheshin gjurmë të disa shtresave me djegie masive në kontekste që u takonin tre periudhave kronologjike të ndryshme. Këto të dhëna sa vinin e shtoheshin përgjatë gërmimeve të viteve të fundit, deri sa arritëm të evidentonim gjurmë shkatërrimesh e djegiesh të shek. III-II para Kr., të gjysmës së dytë të shek. II pas Kr. dhe të shek. III pas Kr. Gërmimet arkeologjike kanë evidentuar deri më tani së paku 9 raste të zbulimeve në qytet, ku dallohen qartazi gjurmë djegieje e shkatërrimi të datuara në gjysmën e dytë të shek. II pas Kr. Këto shtresa janë më të qarta dhe më masivet që janë zbuluar ndonjëherë në Durrës.

Këto zbulime shtrihen në të gjithë hapësirën që mbulonte territori i qytetit antik, në veri, qendër, jug dhe jugperëndim të tij, si në zonën fushore ashtu edhe në zonën kodrinore. Praktikisht, gjurmët tregonin se nuk bëhej fjalë për një ngjarje të lokalizuar në një apo dy lagje të qytetit antik, pjesë normale e jetës shumëshekullore të një qyteti si Durrësi, por duhej parë një ngjarje që kishte tipare të veçanta.

Në trajtimin individual të secilit prej këtyre rasteve kuptuam se kishte ngjashmëri shumë të mëdha mes tyre. Në të gjitha rastet bëhej fjalë për zjarre që kishin përfshirë strukturat e qytetit në formë të rrufeshme, duke mos u lënë mundësi banorëve që të merrnin objektet me vlerë të jetës së përditshme. Për rrjedhojë, kjo shtresë me djegie ofronte një nga nivelet më të pasura me gjetje arkeologjike në Durrës. Objektet e kulturës materiale të zbuluara në këto shtresa mundësonin identifikimin e tipologjive të enëve, identifikimin e origjinës së tyre (kemi kryesisht prodhime qeramike lokale, importe lindore dhe më pak importe afrikane), si dhe mbi të gjitha datimin e ngushtë të tyre. Në të gjitha rastet kombinimi i datimeve individuale të gjetjeve e ngushtonte kronologjinë e ngjarjeve në hapësirën e viteve 160-180/190 pas Kr.

Këto të dhëna sigurisht që ishin me shumë rëndësi, por nuk mjaftonin ende për të identifikuar më qartë kohën e saktë të ngjarjes së dhunshme që kishte goditur qytetin. Për këto arsye, ju drejtuam gjetjeve të thesareve si një nga elementët më të rëndësishëm, të cilat ndihmojnë në njohjen e datimeve të ngushta të situatave të vështira që ka kaluar qyteti.

Për periudhën në fjalë njihen dy zbulime thesaresh. Njëri masiv, i vitit 1941, dhe tjetri më i vogël, i vitit 2010. Në vitin 1941, përgjatë punimeve për ndërtime kanalizimesh në zonën përballë Postës, u zbulua një nga thesaret më të rëndësishëm të Shqipërisë, me peshë të përllogaritur në 13.5 kg. Sapo u zbulua, pjesa më e madhe u mor nga ushtarakët dhe inxhinierët italianë, një pjesë nga puntorët shqiptarë, dhe vetëm një grumbull i vogël metalik ngjyrë jeshile mbeti, për t’u marrë nga arkeologët shqiptarë. Pas pastrimit të këtij grumbulli të vlerësuar të pavlerë, rezultoi se bëhej fjalë për mbi 4000 monedha argjendi. Objektet e tjera flitej se ishin bizhuteri dhe monedha të florinjta, të cilat humbën përgjithmonë. Nga studimi i pjesës së ruajtur të thesarit, rezultoi se monedhat jepnin një datim pas vitit 170 pas Kr. Thesari i dytë u gjet në vitin 2010, me një sasi më të pakët monedhash. Datimi i tij jepej në hapësirën e viteve 97-170/176 dhe 180 pas Kr. Në të dyja rastet, veçanërisht në rastin e dytë, gjetjet lidheshin me situata të vështira, të cilat i kishin shtyrë të zotët e thesareve që ti fshihnin. Më pas, ato nuk kanë mundur të rikthehen për ti marrë, që tregon se me shumë mundësi kanë humbur jetën.

Për të kuptuar më shumë mbi këto ngjarje, kërkuam të dhëna për situata të ngjashme edhe në qytetet e tjera të Ilirisë së Jugut. Kështu, në qytetin e Apollonisë gjejmë informacione nga gërmimet arkeologjike mbi zbulimin e gjurmëve të shkatërrimeve dhe të zjarreve në dy raste. Në një rast u zbulua edhe një thesar me objekte bronzi (byzylkë, fibula, unaza, etj), me datim në fundin e shek. II – fillimi shek. III pas Kr. Një tjetër qytet ku janë parë shtresa djegieje të datuara në shek. II pas Kr. është edhe qyteti i Bylisit.

Për sa më sipër, na rezultonte se në gjysmën e dytë të shek. II pas Kr. në të paktën tre qytete të Ilirisë së Jugut ka pasur një ngjarje shkatërrimtare, të shoqëruar me zjarre. Fshehja e thesareve ishte tregues i një situate frike dhe mungese sigurie. Këto thesare e ngushtonin periudhën e ngjarjeve të dhunshme në vitet pas 170 pas Kr. Nga historia e shek. II në territorin e Ilirisë së Jugut nuk njohim ndonjë ngjarje të dhunshme apo problematike që të mund të shpjegonte gjetjet nga Durrësi. Për këto arsye ju drejtuam historisë së Ballkanit përgjatë kësaj periudhe për të pasur më shumë të dhëna. Na rezulton se në gjysmën e dytë të shek. II njihen dy ngjarje historike me rëndësi, që duhen marrë parasysh. Bëhet fjalë për epideminë e njohur si Murtaja e Antoninit dhe luftërat Markomane kundër Perandorisë Romake.

Murtaja e Antoninit (165-190/192 pas Kr.)

Bëhet fjalë për një nga ngjarjet më të diskutara mes studiuesve të Perandorisë Romake. Shpërthimi i parë epidemik është dokumentuar në vitin 165 pas Kr. në Lindjen e Mesme. Prej andej duket se ka ardhur në perëndim bashkë me legjionet romake që ktheheshin nga fushëbetejat. Ndërsa legjionet lëviznin për të shkuar në kampet e përhershme të tyre, shpërndanin edhe sëmundjen. Nga viti 165 pas Kr. përmenden disa valë epidemike në hapësira të ndryshme të Perandorisë Romake, me dëshmi të autorëve antikë që përshkruajnë situata dramatike, si p.sh. deri në 2.000 të vdekur në ditë në qytetin e Romës në kulmin epidemik.

Ka mendime nga më të ndryshmet mbi pasojat që ajo la në territoret mesdhetare. Disa studiues shprehen se nuk ka pasur ndikim madhor në jetën e përditshme, e të tjerë që e vlerërsojnë se kjo epidemi e dërgoi perandorinë në pragun e rrënimit, me humbje jete që përllogariten nga 1-2% deri në 30% të të gjithë popullatës. Vdekshmëria e lartë solli bllokim të gjithanshëm të jetës së përditshme, duke ndaluar funksionimin normal të administratës, ekonomisë, transportit, tregtisë, deri në shpërthimin e zisë së bukës, që rëndoi edhe më shumë situatën. Si pasojë e kësaj situate studiuesit kanë parë efekte negative në disa drejtime të jetës së përditshme, e deri në rebelime e turbullira sociale, të dëshmuara si nga gërmimet arkeologjike, por edhe të përmendura nga autorët antikë.

Duke qenë se pozicioni i Durrësit antik ishte (dhe ende është) në një kryqëzim rrugësh detare e tokësore, qartësisht është përfshirë nga kjo murtajë. Por nuk dimë të themi ende me siguri nëse gjendja e dëshpëruar dhe zija e bukës të ketë rezultuar në revolta popullore që kanë sjellë djegie e shkatërrime në qytet.

Luftërat Markomane (166-180 pas Kr.).

Janë quajtur me këtë emër përballjet ushtarake mes legjioneve romake dhe fiseve barbare veriore që thyen kufirin e perandorisë e sulmuan territoret në brendësi, duke arritur deri në Italinë veriore dhe në Slloveni. Gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar shtresa masive shkatërrimesh, thesare të fshehura në këto vite, si dhe janë zbuluar kampe të ndryshme ushtarake. Por qytetet e vendbanimet e shkatërruara pozicionohen qindra kilometra larg nga Durrësi. Pika më e afërt ishte Osijek, 465 km në verilindje. Për rrjedhojë nuk mund të ishte ky front lufte që ka cekur edhe Durrësin.

E vetmja formë shpjegimi mbetet një sulm i veçuar nga teatri kryesor i luftërave. Në fakt, në zonën e kufirit lindor të perandorisë, në Danub, një fis barbar që jetonte në malet Karpate, ka sulmuar perandorinë në vitet 169-170, ka thyer kufijtë dhe ka hyrë në thellësi të provincave ballkanike. Këto fise, të njohura si Kostobokë, kaluan nëpër Trakë, Maqedoni e arritën deri në Akea. Ato kanë shkatërruar Telesterion-in e Eleusis dhe kanë sulmuar Eleutea në Fokis, duke rrezikuar edhe vetë Athinën. Këto sulme janë datuar në vitin 170 ose 171 pas Kr. Qytetet e provincave ballkanike nuk ishin të mbrojtura dhe nuk kishin legjione të stacionuara. Për rrjedhojë, bëhet fjalë për grabitje, djegie e masakra pa pasur përballë ndonjë forcë ushtarake që ti ndalonte. Për largimin e tyre nga provincat e perandorisë u sollën me shpejtësi trupa ushtarake si dhe u ngritën njësi vullnetare. Vetëm më pas u arrit që të munden këto fise dhe të largohen nga territoret e perandorisë. Duke qenë se fiset Kostoboke arritën deri në Maqedoni, ato kanë përdorur edhe Via Egnatian, e për rrjedhojë ishte shumë e thjeshtë që nëpërmjet saj të arrinin deri në brigjet e Adriatikut e të shfaqeshin në portat e Durrësit antik. Deri më sot nuk kemi asnjë autor antik që të përmendi një sulm në Ilirinë e Jugut, por edhe në rastin e sulmeve ndaj territoreve pranë Athinës vetëm dy burime antike përmendin ngjarjen. Për rrjedhojë, mbetet një nga shpjegimet më të mundshme për situatën shkatërrimtare në Dyrrachium dhe gjetjen e shtresave me djegie masive. Përkimi i datimit të kulturës materiale të gjetura në gërmimet arkeologjike në Durrës me datën e sulmeve të këtyre fiseve në Ballkan, jep me shumë mundësi arsyen e shkatërrimit e djegies së qytetit antik.

Çfarë ka ndodhur në Durrësin e viteve 170/171 pas Kr?

Për sa më sipër, gjetjet arkeologjike tregojnë qartazi se në Durrësin antik ka ndodhur një situatë shkatërrimtare, me pasoja shumë të rënda. Vetëm zjarrvënie të qëllimshme do të justifikonin gjetjet nga terreni. Shkatërrimet masive, djegiet në pjesë të ndryshme të qytetit, apo fshehjet e thesareve, janë tregues të një situate të dhunshme që ka goditur qytetin. Arsyeja më e mundshme lidhet me sulmet e fiseve Kostoboke, të cilët nëpërmjet Via Egnatias kanë arritur deri në brigjet e Adriatikut. Duke mos pasur asnjë rezistencë ushtarake në rajon, ato kanë plaçkitur e shkatërruar gjithçka u ka dalë para.

Duke parë kohëzgjatjen e murtajës së Antoninit, me siguri që ajo e ka goditur edhe Durrësin antik. Në këtë rast, një sulm barbar e ka rënduar edhe më tej situatën, duke sjellë si pasojë një goditje shkatërruese ndaj qytetit, prej të cilës i është dashur shumë kohë për të rimarrë veten. BIRN