Keqpërdorimi i taksave të qytetarëve është bërë një zakon tashmë për Bashkinë e Tiranës, që nuk di të ndalet pas aferave korruptive si inceneratori dhe “5D”.
Prej shumë vitesh një pjesë e madhe e tenderave të këtij institucioni janë me “flamur të kuq” nga “Open Data”, por që për zyrtarët e Bashkisë së kryeqytetit nuk përbën asnjë problem, pasi vijojnë të japin miliona e miliona nga paratë e qytetarëve.
Në 17 Tetor të këtij viti, Bashkia e Tiranës ka njoftuar 2 tendera, një për të blerë një aparat fotografik profesional dhe një tjetër për të blerë vargje dritash, që me shumë mundësi do të përdoren për dekorin e festave të fundvitit.
Problemi qëndron te shuma e parave që do të shpenzohen për këta dy tenderë. Për aparatin fotografik Bashkia ka vendosur një fond limit prej më shumë se 13 milionë lekësh të vjetra pa TVSH. Nuk dihet se çfarë aparati kërkon të blejë Erion Veliaj me kaq shumë lekë, por është e sigurt që ky aparat do të shërbejë vetëm për të vijuar me propagandën e Bashkisë.
Për këtë tender ka patur vetëm një ofertë, ajo e “QuantX IT Solutions”shpk, që ka ofruar sa 99% e fondit limit, duke u shpallur fituese.
Ndërkohë, për blerjen e vargut të dritave do të shpenzohen 95 milionë lekë të vjetra. Për këtë tender janë paraqitur ofertat e 2 operatorëve; ARTEO 20218 dhe Eleni Topi, me këtë të fundit që është skualifikuar pasi “mostrat nuk u dorëzuan sipas kërkesave”.
Janë qindra miliona lekë që shpërdorohen çdo muaj nga Bashkia e Tiranës dhe jo vetëm, teksa qeveria propagandon se nuk ka fonde të mjaftueshme për të rritur pensionet e të moshuarve.
Nëse këto miliona nuk do të jepeshin te miqtë [pranë pushtetit, ndoshta edhe qeverisë së Ramës do t’i dilnin llogaritë më mirë.