Si Rama po përgatit Partinë Socialiste për arrestimin e Erion Veliajt

Erion Veliaj nuk i ka aspak punët mirë me “kolegët” e tij të SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se nga provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale ndaj Veliajt.

Ndërkohë, paralelisht me hetimet e SPAK ndaj tij, Veliaj do të duhet të merret edhe me fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Majit, pasi është caktuar drejtues politik i qarkut të Tiranës.

Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, këtë herë Veliaj nuk është i “gjithëpushtetshëm”, pasi kryeministri Rama i caktoi fillimisht drejtues qarku në Tiranë edhe Ogerta Manastirliun e Elisa Spiropalin, një lëvizje që u komentua si taktikë e Ramës për të kufizuar kryebashkiakun.

Shtohen hetimet për Veliajn, rritet numri i drejtuesve politikë në Tiranë

Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me Spiropalin dhe Manastirliun, por vendosi që t’i shtojë Tiranës edhe një tjetër drejtues politik, Blendi Gonxhen, i cili do të drejtojë zonën e Kombinatit, që më herët drejtohej nga zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Kjo zonë është një hambar votash për socialistët, ndaj vendosja e Gonxhes ia uli edhe më shumë autoritetin Erion Veliajt në drejtimin e këtij qarku.

Në intervistën e fundvitit, Rama i doli në krah Veliajt në lidhje me hetimet e SPAK, duke deklaruar se kryebashkiakut po i bëhet gjyq publik. Por, vitet kanë treguar se kushdo që mbrohet nga Rama publikisht, përfundon pas hekurave.

Kujtojmë rastin e “ministrit kampion”, Saimir Tahirit, Lefter Kokës apo edhe një nga miqve të tij më të mirë, Vangjush Dakos, të gjithë të burgosur nga SPAK, pavarësisht se kryeministri deklaronte se besonte te ata.

I vetmi që shpëtoi është Arben Ahmetaj, i cili e kuptoi se Rama e kishte shitur dhe u largua, me SPAK që e shpalli në kërkim ndërkombëtar.

Por kufizimi i Veliajt nuk përfundoi me Gonxhen. Pasi SPAK doli me njoftim zyrtar për kryebashkiakun, erdhi edhe lëvizja e radhës. Sot Pandeli Majko dha dorëheqjen nga detyra si drejtues qarku në Kukës, por dorëheqjet brenda PS-së nuk janë asnjëherë të rastësishme.

Menjëherë Rama vendosi që t’i besojë atij drejtimin e Njësisë 5 në Tiranë, një tjetër zonë me vota të shumta për socialistët, që lë edhe më shumë në hije Veliajn, i destinuar që përballjen e këtij viti ta bëjë me SPAK-un dhe jo me opozitën.

Pak nga pak, Rama po vendos në Tiranë disa nga njerëzit e tij më të besuar, që po zëvendësojnë Veliajn në zonat ku ka më shumë vota të majta, duke e përgatitur Partinë Socialiste për largimin e kryebashkiakut, që destinacionin më të afërt duket se ka burgun.

Kështu, kreu i PS-së po tenton që ta zbusë dalëngadalë humbjen e Veliajt, që pavarësisht gjithçkaje, për PS-në ka qenë i domosdoshëm për të mbledhur vota, edhe pse në kundërshtim me ligjin, duke përdorur administratën dhe paratë e grabitura nga inceneratorët apo “5D”.