Të bësh opozitë në Shqipëri po bëhet çdo ditë e më e vështirë, jo për shkak të mirëqeverisjes, por të metodave që pushteti përdor për të të mbyllur gojën.
Teksa mediat dhe qytetarët e zakonshëm e kanë shumë të vështirë të denoncojnë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin, për shkak të presionit të vazhdueshëm të qeverisë, këto denoncime po bëhen gati të pamundura edhe nga deputetët në Kuvend.
Vetëm pak ditë më parë Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për shkak të një denoncimi publik në lidhje me vëllanë e Fatmir Xhafajt, ish-ministër i Brendshëm. Deputeti nuk bëri asgjë më shumë se sa detyrën e tij, duke treguar se Geron Xhafaj ishte i dënuar në Itali, çfarë u provua kur vetë i dënuari u dorëzua te autoritetet italiane.
Por, dora e hekurt e pushtetit nuk ndaloi së godituri opozitën, dhe radhën këtë herë e kanë kolegët e Salianjit, të cilët protestuan në Kuvend për arrestimin e padrejtë të deputetit demokrat.
Ata nuk lejuan zhvillimin normal të seancës plenare dhe më pas dogjën karriget e tyre jashtë godinës së Kuvendit, në shenjë proteste ndaj kryetares Elisa Spiropali, e cila lexoi njoftimin e përfundimit të mandatit të Salianjit në kundërshtim me Kushtetutën, pasi më herët nuk kishte pranuar të mblidhte Këshillin e Mandateve.
Veprimet e deputetëve opozitarë erdhën si një mundësi e artë për mazhorancën, që t’i dënojë sërish dhe të vijojë të miratojë e qetë ligjet që shpeshherë janë në kundërshtim me interesat e vendit dhe qytetarëve.
Socialistët nxituan të mbledhin votat dhe kërkuan përjashtimin e 24 deputetëve opozitarë: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Lexo edhe: Revolta e opozitës, PS kërkon në Kuvend përjashtimin e 24 deputetëve të PD
Ndërkohë, sot Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale “kërcënoi” deputetët e opozitës se ngjarjen e djeshme dhe veprimet e tyre do t’i referonte në SPAK.
Por, nuk mbaroi me kërcënime, dënime kolektive dhe burgosje goditja e opozitës dhe plani për ta eleminuar politikisht. Kuvendi i Shqipërisë nxori njoftim se deputetëve opozitës do t’u mbahet një pjesë e pagës për të blerë karriget dhe çdo pajisje tjetër të dëmtuar gjatë protestës së djeshme.
Në njoftim, Kuvendi thotë se “karriget janë të qytetarëve”, por harron që edhe qindra miliona eurot e dhëna në koncesione korruptive janë po të qytetarëve shqiptarë, që po varfërohen çdo ditë për të pasuruar një grusht njerëzish afër pushtetit.