Në orët e fundit përpara shpalljes së armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, nga Pakistani erdhën disa sinjale të vogla shprese.
Burime nga Pakistani, duke folur në kushte anonimiteti për BBC, bëjnë të ditur se bisedimet kanë vazhduar me ritëm të shpejtë, ndërsa Pakistani ka vepruar si ndërmjetës mes Iranit dhe SHBA-së.
Sipas burimeve, negociatat janë zhvilluar nga një “rreth shumë i vogël” përfaqësuesish nga Pakistani, ndërsa atmosfera është përshkruar si “e zymtë dhe serioze, por ende me shpresë se do të arrihet ndërprerja e armiqësive”.
Pakistani ka luajtur rol kyç në javët e fundit duke përcjellë mesazhe mes dy palëve. Ai mban marrëdhënie historike me Iranin, ndan kufi të përbashkët dhe shpesh e cilëson këtë raport si “vëllazëror”.
Nga ana tjetër, raportet me SHBA-në mbeten të ngushta. Presidenti Donald Trump e ka cilësuar kreun e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, si “marshallin e tij të preferuar”, duke shtuar se ai e njeh Iranin “më mirë se shumica”.
Megjithatë, marrëveshja nuk ishte e sigurt. Duke folur në parlament, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, deklaroi se deri një ditë më parë kishte optimizëm për përparim pozitiv, por situata u tensionua pas sulmeve të ndërsjella në rajon.
Ai theksoi se Pakistani “po përpiqet ende të menaxhojë situatën sa më mirë të jetë e mundur”.
Ndërkohë, Asim Munir kritikoi ashpër sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke deklaruar se ato “minojnë përpjekjet e sinqerta për zgjidhje paqësore të konfliktit”. Kjo konsiderohet si një nga deklaratat më të forta të Pakistanit ndaj Iranit që nga nisja e krizës.
Analistët vlerësojnë se kjo mund të ketë rritur presionin mbi Iranin, duke pasur parasysh edhe paktin e mbrojtjes mes Pakistanit dhe Arabisë Saudite.
Pas mesnatës, kryeministri i Pakistanit njoftoi në rrjetin social X se përpjekjet diplomatike po përparonin dhe kërkoi nga SHBA-ja shtyrjen e afatit për dy javë, si dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani gjatë kësaj periudhe.
Rreth orës 03:00 sipas kohës lokale, ambasadori i Iranit në Pakistan, Reza Amiri Moghadam, deklaroi se ishte bërë “një hap përpara nga një fazë kritike dhe e ndjeshme”.
Pak para orës 05:00, kryeministri pakistanez njoftoi arritjen e armëpushimit dhe ftoi palët të takohen në Islamabad më 10 prill për negociata të mëtejshme drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, burimet paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë, me mungesë besimi mes palëve dhe qëndrime të forta të rrënjosura.