Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i Martin Manes, djalit të biznesmenit Martin Mane disa ditë më parë pranë Parlamentit të Shqipërisë.
Portali “weblajm.com” ka siguruar referimin e Policisë në Prokurori për arrestimin e Martin Manes, ku tregohet qartë se si policia ka tjetërsuar ngjarjen në deklaratën për media, duke bërë një referim të ndryshëm të ngjarjes në organin e akuzës.
Policia deklaroi në media se 28 vjeçari kishte përplasur 2 automjete të parkuara, por në të vërtetë Martin Mane ka përplasur 2 motorrë që shërbejnë për shpërndarjen e porosive të një biznesi privat.
“Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë M.M., 28 vjeç, pasi në rrugën ‘Xhorxh Bush’, duke drejtuar automjetin, ka përplasur 2 automjete të parkuara dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Disa metra më tej, pas ndalimit nga punonjësit e Policisë, 28-vjeçari i ka kundërshtuar ata për kryerjen e testit të alkoolit, nga i cili rezultoi në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftonte policia.
Por nuk mbaron këtu, pasi policia deklaronte në njoftimin për media se i riu ishte në gjendje të dehur, por në të vërtetë, atij nuk iu bë asnjë test alkooli, për shkak se e refuzoi 2 herë me pretekstin se vuante nga alergjia. Gjithashtu nuk pranoi as t’i merrej kampion gjaku se vuante nga alergjia.
“Në referimin e policisë thuhet se, më datë 12.01.2025, në orën 04.13′, salla operative ka njoftuar se përballë Parlamentit një automjet…, ka përplasur 2 motomjete me targa.. të parkuar dhe është larguar në drejtim të 9-katsheve. Shërbimi i policisë rrugore ka shkuar përballë Parlamentit ku ka konstatuar 2 motomjete të parkuar dhe të dëmtuar. Në orën 04.35′ shërbimet e policisë kanë konstatuar tek kryqëzimi Luigj Gurakuqi automjetin auto veturë me targa AB….të drejtuar nga shtetasi M.M dhe kanë konstatuar se automjeti kishte dëmtim të lehtë. Drejtuesit i automjetit është ftuar të bëjë testin e alkoolit, por ka pretenduar se vuan nga alergjia. Me pas është shoqëruar në polici dhe është ftuar përsëri të bëjë testin e alkoolit por përsëri ka pretenduar se vuan nga alergjia. Gjithashtu nuk ka pranuar ti merret kampion gjaku me pretendimin e vuajtjes së tij nga alergjia.
Më pas policia gjyqësore, pa respektuar procedurën e parashikuar nga neni 201/a pika “5” të Kodit të Procedurës Penale, (procedura e marrjes së kampionëve të gjakut pa pëlqimin e personit) më datë 12.01.2025, ora 09.25’ ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M, si i dyshuar për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” të parashikuara nga neni 242 dhe 273 të Kodit Penal. Gjithashtu ndaj shtetasit M.M, ka marrë dhe masë administrative sipas kërkesave të parashikuara nga neni 127/3/1, 184/2/c/6/10 dhe 187/1/6/8 të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998 “Për Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, shkruan weblajm.
Për shkak se referimi në Prokurori u regjistrua për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, u vlerësua se nuk janë respektuar kriteret për arrestimin në flagrancë, dhe për këtë shkak është urdhëruar lirimi i shtetasit Martin Mane dhe vazhdimi i hetimeve ndaj tij në gjendje të lirë.
Por saga e këtij aksidenti nuk mbaron këtu, pasi vetëm pak ditë më vonë, efektivi i Policisë Rrugore, Azbi Spahiu, i cili ishte personi që e arrestoi djalin e Samir Manes, u hodh nga kati i 11-të. Gazetarja e njohur e kronikës së zezë Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka rrëfyer detaje shtesë për ngjarjen, e cila tronditi rëndë kryeqytetin.
Ajo deklaroi se efektivi Azbi Spahiu, para se të hidhej nga lartësia i ka dërguar mesazhe të birit, ku i thotë se duan t’i shkatërrojnë karrierën.
“Azbi Spahiu është thirrur nga zyrtarë të AMP dhe i është kërkuar llogari pse është bërë. Gjendur në kushte presioni ai i ka shkruar të birit, duke thënë se po i shkatërronin karrierën me lojëra, dhe pastaj është hedhur nga lartësia. Është një çështje që duhet hetuar. Nëse Martin Mane është arrestuar dhe ka qenë nën efektin e alkoolit duhej bërë testi i alkoolit dhe të mbahej përgjegjësi.
Nëse Martin Mane është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe vetëm se është djali i biznesmeni, atëherë mund të ngremë dyshime se ndoshta struktura bën shantazh. Në të dyja drejtimet po ta kapim, duhet një hetim. Sot jam në krahun e Azbiut sepse ai është hallka më e dobët, ku është tentuar të shkarkohet e gjithë përgjegjësia. Nëse është arrestuar dhe është favorizuar ka nevojë për hetim. Nëse është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe është tentuar sulm ndaj Samir Manes, duhet sërish hetim. Heshtja e institucioneve më bën të dyshoj se nuk është një situatë bardhë e zi. AMP nuk ka asnjë hetim penal në lidhje me këtë situatë. Nëse punonjësit e policisë e kanë shkelur, pse nuk ka procedurë hetimore”, deklaroi gazetarja.