Si emërimi i ministreve sipas interesit solli degradimin e sistemit arsimor në Shqipëri

Rezultatet e publikuara nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), ku Shqipëria kishte rënien më të madhe se të gjitha vendet e tjera në matematikë, lexim dhe shkencë, tregojnë më së miri degradimin e sistemit arsimor në Shqipëri.

Vendi ynë ka humbur plot 47 vende në lexim, 41 vende në shkencë dhe 69 vende në matematikë në krahasim me rezultatet e vitit 2018, duke u renditur edhe pas vendeve të varfra si Xhamajka në matematikë.

Pavarësisht se pandemia ka ndikuar në uljen e performancës, një rënie kaq e madhe tregon se degradimi i sistemit arsimor ka filluar prej vitesh, për të shënuar kulmin këtë vit, siç e tregojnë edhe rezultatet e PISA-s.

Për të kuptuar problemin e vërtetë të kësaj çështje, duhet të nisemi nga “koka” e problemit, Ministria e Arsimit. Prej vitesh emërimet e ministrave të kabinetit qeveritar janë bërë sipas interesave të kryeministrit, por me Ministrinë e Arsimit, Edi Rama duket se ka bërë më shumë aventura seç duhet.

Ministrja e parë e Arsimit pasi Partia Socialiste mori drejtimin e qeverisë ishte Lindita Nikolla. Lidhja e saj me arsimin ishte e hershme, pasi kishte punuar si mësuese dhe si drejtoreshë shkolle, derisa Edi Rama e mori në politikë dhe e vendosi kryetare të Njësisë Bashkiake nr.1 në Tiranë për 2 mandate.

Pavarësisht lidhjes së hershme me shkollën dhe përfundimit të studimeve në vitin 1989, Lindita Nikolla i kreu studimet për Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, vetëm në vitin 2010 pranë “Albanian University”, ish-“UFO”.

Arsimi nën drejtimin e saj nuk do të shihte asgjë pozitive, teksa një nga skandalet e para do të ishte ligji për Reformën në Arsim, që la mijëra maturantë pa të drejtë studimi.

Por do të duhej të vinte viti 2018 që kryeministri Edi Rama ta shkarkonte, teksa ky vendim erdhi pas protestave masive të studentëve të të gjithë vendit. Këto protesta që vijuan për javë me radhë ishin nga më të fuqishmet që prej atyre të viteve ’90, pasi nga studentët kërkonin vetëm të drejtat e tyre për kushte më të mira në universitete dhe konvikte, si dhe për uljen e tarifave.

Pasi pa se studentët nuk tërhiqeshin edhe pse shumë u munduan t’i përçanin, kryeministri Rama firmosi shkarkimin e Lindita Nikollës në 28 Dhjetor 2018. Këto nuk ishin të vetmet ngjarje që shënjuan karrierën e Nikollës si ministre Arsimi, pasi opozita e ka akuzuar se truproja i saj merrte 3 mijë euro për çdo punësim në sistemin arsimor, ndërsa aktivistët i kanë hedhur salcë domate në kokë gjatë një aktiviteti.

Shkarkimi i Lindita Nikollës do të sillte në krye të Ministrisë së Arsimit një emër të panjohur për qytetarët, Besa Shahinin, e lindur në Kosovë dhe e arsimuar në Kanada.

Shahini ishte një vajzë ende e re dhe detyra që iu caktua ishte shumë e madhe për të, ashtu siç tregoi edhe koha. Skandalet e njëpasnjëshme në shkolla, siç ishte mësuesi pedofil në Fier apo helmimi i gjimnazistëve po në Fier, treguan më së miri se Besa Shahini nuk ishte ministrja e duhur për këtë detyrë.

Reagimet e saj pas skandaleve ishin edhe më skandaloze, pasi jo vetëm që nuk mori masa të menjëhershme për të ngritur grupe punë që të shmangeshin fenomene të tilla, por fajin ua hodhi gazetarëve të emisionit “STOP” që publikuan skandalin.

Pas më pak se dy vitesh, kryeministri Rama vendosi ta shkarkojë, për ta zëvendësuar me Evis Kushin, ish-pedagoge në Universitetin e Elbasanit, e cila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013. Në fillim u dha ideja se emërimi i Evis Kushit ishte i duhuri, pasi edhe opozita u dakordësua me këtë zgjedhje, por vitet që kaluan treguan të kundërtën.

Publikimi i pyetjeve të Maturës Shtetërore ishte skandali i parë me të cilën Evis Kushi u përball, ndërsa më pas erdhën edhe akuzat nga opozita për përdorimin e nxënësve të shkollave për fushatën e Partisë Socialiste.

Ligji për Mjekësinë do të tregonte se Evis Kushi jo vetëm që nuk ishte njeriu i duhur për detyrën e Ministres së Arsimit, por ishte zgjedhja më e gabuar. Pasi u dakordësua me gjithçka që vendosi kryeministri Edi Rama për të mbajtur të izoluar për 5 vite studentët e Mjekësisë që diplomoheshin, gjatë një mbledhje me studentët, në mënyrë tepër arrogante ajo iu drejtua me fjalët: “Ne bëjmë çfarë të duam pa ju pyetur juve fare”.

Mjafton kaq, për të kuptuar se çfarë pune ka bërë në të vërtetë ministrja e Arsimit. Puna e Evis Kushit përfundoi në 4 shtator, kur në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Rama njoftoi shkarkimin e saj, për ta zëvendësuar me Ogerta Manastirliun.

Kjo e fundit, pasi dështoi me sukses në Ministrinë e Shëndetësisë, ku tenderat miliona euro u jepeshin oligarkëve të lidhur me qeverinë, sidomos gjatë kohës së pandemisë, mori në dorë frerët e sistemit arsimor.

Ogerta Manastirliu është një nga njerëzit më afër Ramës, i cili e mori gjatë kohës kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të mos e lënë asnjëherë pa post, pavarësisht nëse i ka aftësitë e duhura apo jo.

Emërimi i ministreve sipas interesit personal dhe jo sipas interesave të Arsimit ka sjellë degradimin e sistemit arsimor në vendin tonë. Emërime të tilla ka patur në çdo ministri, ku shembujt më të mirë janë Arben Ahmetaj si Ministër Finance dhe Ilir Beqaj si Ministër Shëndetësie, që tashmë janë të pandehur në SPAK për shkak se grabitën qindra miliona euro.