Banorët e Rrjollit në Velipojë prej disa ditësh vijojnë protestat në mbrojtje të tokave të tyre, të cilat po merren nga shteti dhe po i jepen biznesmenit Bashkim Ulaj për të ndërtuar një resort turistik.
Ata thonë se janë ende në gjyq për këto toka, por Ulaj me ndihmën e Policisë së Shtetit po fillon punimet për ndërtimine resortit, teksa banorët çdo ditë duhet të përballen edhe me forcën e efektivëve.
Por, teksa protesta e tyre është pasqyruar shumë pak në media, pavarësisht padrejtësisë që po bëhet, ajo që vihet re është heshtja e deputetëve të Shkodrës, teksa asnjë prej tyre nuk ka denjuar t’i dalë në mbrotje banorëve.
Për deputetët socialistë është e kuptueshme pse s’mund të flasin, pasi për këtë projekt ka firmosur vetë e pandehura Belinda Balluku, të cilën SPAK e akuzon për disa afera korruptive dhe ka kërkuar ta arrestojë.
Marjana Koçeku, Onid Bejleri, Xhenis Çela dhe Bujar nuk mund të dalin kundër shefes së tyre, të cilën nuk po mundet dot as kryeministri Rama ta lëshojë në duart e drejtësisë. Ata s’mund të reagojnë kur Belinda Balluku vijon t’i bëjë “nderet e jetës” Bashkim Ulajt.
Çudia vjen nga deputetët e opozitës, që duhet të ishin në krah të popullit, por kanë zgjedhur të heshtin para biznesmenit Ulaj. Asnjë reagim nga ana e tyre për atë që po ndodh në Rrjoll, ku tokat e qytetarëve po merren me forcë nga një biznesmen me firmën e një ministre të pandehur dhe të akuzuar për korrupsion.
Janë 5 deputetë të opozitës që u zgjodhën në 11 Maj 2025, por nga ata, vetëm Kliti Hoti ka bërë një postim në rrjetet sociale, ndërsa Luçiano Boçi, Greta Bardeli, Ramadan Likaj dhe Bardh Spahia kanë zgjedhur të kyçin gojën para padrejtësive.
Këta deputetë që flasin për korrupsionin e qeverisë në Kuvend, nuk kanë denjuar të dalin në krah të atyre që i votuan, e u dhanë mundësinë të shkojnë në Parlament.
Të vetmit që iu bashkuan banorëve të Rrjollit ishin dy deputetët e partive të reja: Erald Kapri nga Partia Mundësia dhe Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë.
Edhe pse të dy janë deputetë të zgjedhur në qarkun e Tiranës, nuk ngurruan të jenë në krah të qytetarëve të pambrojtur, ndërkohë që deputetët e Shkodrës kanë ulur kokën para një biznesmeni, për arsye të cilat nuk i dimë.
Janë 11 deputetë të Shkodrës që për muaj me radhë u kërkuan votën këtyre banorëve, por që tani i lënë të vetëm përballë një shteti që nuk njeh ligje, por vetëm gjuhën e forcës.
Ky duhet të jetë një mësim i mirë për të gjithë qytetarët, që ka ardhur koha të vendosin t’i përfaqësojë një njeri që mund t’i gjendet gjithmonë pranë, dhe jo njerëz që pasi marrin mandatin harrojnë se kush ua ka dhënë.