Shtyhet seanca për vrasjen e Martin Canit, e ëma: Gjyqi të zhvillohet me dyer të hapura, s’kemi çfarë mbajmë sekret

Është shtyrë seanca gjyqësore për Mario Përlleshin, i akuzuar për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani, ngjarje kjo e ndodhur më datë 18 Nëntor.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur në sherrin mes të miturve.

E ëma e Martinit, Florina Cani ka folur për mediat duke kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të hapura. Ajo ka kërkuar mbi të gjitha drejtësi për djalin e saj të vrarë dhe shtoi se do të luftoj deri në fund. Nëna e Martin Canit tha po ashtu se djali i saj humbi jetën në mënyrë tragjike në rrethana të menduara.

“Do të luftoj deri në fund, fëmija im humbi jetë në mënyrë tragjike në rrethana të menduara. Do të këmbëngul të dalë e drejta.

Seanca të bëhet e hapur, s’kemi çfarë mbajmë sekret. Seanca të zhvillohet me dyer të hapura, fëmija im të bëhet shembull për të tjerët, që kjo tragjedi të mos ndodh në familjet e tjera”, tha ajo.