Do të jepet nesër vendimi për 10 perrsonat e akuzuar për çështjen “Bankers”, që kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë.
Të akuzuarit u paraqitën sot në gjykatën e Apelit, por vendimi u shty për ditën e nesërme për shkak të kompleksitetit të çështjes.
Sipas hetimeve paraprake, kompania “Bankers Petroleum Albania Ltd” rezulton të ketë dalë me humbje për çdo vit nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 – një periudhë 20-vjeçare gjatë së cilës shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga fitimet e kësaj kompanie, ndonëse ajo ka nxjerrë dhe tregtuar sasi të mëdha nafte në zonat e Patos-Marinzës në Fier.
Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën prej mbi 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura, duke dalë çdo vit me humbje. Në këtë mënyrë, ajo ka shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe dyshohet se ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së në shuma që arrijnë në miliona euro.
Nga hetimi rezulton se kompania dyshohet të ketë manipuluar bilancet financiare përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Prokuroria thotë se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe janë kryer transaksione financiare të dyshimta me kompani dhe individë brenda dhe jashtë vendit. Skemat janë ndihmuar edhe nga kontraktorë të tjerë, duke përfshirë një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh.
Gjatë operacionit të përbashkët të Prokurorisë, Policisë Vendore Fier dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë dhe në banesa private të personave të përfshirë. Janë sekuestruar prova materiale dhe dokumentacion i konsideruar i vlefshëm për vijimin e hetimit.
Mes personave të ndaluar janë:
Hongping Xiao– Administratori aktual i kompanisë
Leonidha Çobo– Ish-administrator
Si dhe shtetasit: L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I, E.A, me role të ndryshme në menaxhimin e kompanisë.