Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit në Lindjen e Mesme janë shtyrë, duke rritur pasiguritë mbi mundësinë e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Zvicra njoftoi se takimi i planifikuar për të premten mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë nuk do të zhvillohet sipas planit, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan JD Vance anuloi udhëtimin drejt vendit ku pritej të mbaheshin bisedimet.
“Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, deklaroi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Delegacioni amerikan, i kryesuar nga Vance, ishte gati të nisej drejt resortit malor të Burgenstockut në Zvicër sapo të finalizoheshin detajet organizative. Ministria e Jashtme zvicerane konfirmoi shtyrjen e takimit, por theksoi se Berna mbetet e gatshme të lehtësojë dialogun dhe se përgatitjet teknike vazhdojnë.
Nga ana tjetër, Irani nuk reagoi menjëherë. Teherani kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të niste bisedimet teknike pas marrëveshjes me 14 pika të arritur të mërkurën, e cila zgjati armëpushimin e brishtë me të paktën 60 ditë.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, negociatorët iranianë kërkojnë fillimisht shenja konkrete të zbatimit të marrëveshjes nga SHBA-ja, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse delegacioni iranian do të udhëtojë drejt Zvicrës.
Ndërkohë, Izraeli, i cili nuk është pjesë e negociatave të paqes, është distancuar nga marrëveshja SHBA-Iran dhe ka vijuar operacionet ushtarake kundër grupit Hezbollah në Liban.
Situata ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e marrëveshjes, sidomos pasi sulmet izraelite në Liban vazhdojnë. Sipas mediave shtetërore libaneze, të paktën 18 persona u vranë në sulmet e fundit të kryera të premten.
Në Uashington, disa aleatë republikanë të presidentit Donald Trump kanë shprehur shqetësime se administrata amerikane ka bërë lëshime të mëdha për t’i dhënë fund luftës.
Megjithëse në muajin mars Trump kishte deklaruar se konflikti do të përfundonte vetëm me “dorëzimin pa kushte” të Iranit, marrëveshja e nënshkruar parashikon lehtësim të sanksioneve ekonomike, zhbllokimin e aseteve iraniane me vlerë dhjetëra miliarda dollarë dhe leje të menjëhershme për eksportet e naftës.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, deklaroi se Trump e nënshkroi marrëveshjen “nga dëshpërimi” dhe paralajmëroi se negociatat për programin bërthamor iranian do të jenë të vështira.
“Nëse pala amerikane kërkon shumë, ne nuk do ta pranojmë”, tha ai.
Marrëveshja u jep negociatorëve 60 ditë kohë për të arritur një dakordësi mbi statusin e programit bërthamor iranian, me mundësi shtyrjeje nëse palët bien dakord.
Ajo parashikon gjithashtu krijimin e një fondi rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh për Iranin dhe stimuj të tjerë financiarë.
SHBA-ja synon gjithashtu të kufizojë programin iranian të raketave me rreze të gjatë veprimi.