Shtohen përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Trump telefonon Zelenskyn: Jemi në rrugën e duhur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shkruar në rrjetin social ‘Truth Social’ se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” telefonike me presidentin e Ukrianës, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai po synon “të bashkërendojë Rusinë dhe Ukrainën në kuptimin e kërkesave dhe nevojave” të dy vendeve.

“Sapo përfundova një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Zelensky të Ukrainës”, konfirmoi Trump.

Ai theksoi se telefonata mes tyre zgjati rreth një orë.

“Pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në telefonatën e bërë dje me Presidentin (Vladimir) Putin, në mënyrë që të rreshtohen si Rusia ashtu edhe Ukraina për sa i përket kërkesave dhe nevojave të tyre”, tha Trump.

“Jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Trump.

Ai pohoi se njoftimi i plotë i bisedës telefonike do të bëhet publik së shpejti nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltari i lartë i Sigurisë Kombëtare, Michael Waltz.